×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Çitaku: S’ka njohje reciproke, të hënën në Bruksel Kurti nënshkruan Asociacionin

    Reporteri
    23 Shkurt 2023 | 10:22

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se të hënën e 27 shkurtit, kryeministri Kurti do të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, por jo atë finale e me njohjen në qendër.

    Çitaku thotë se pikërisht të hënën, Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë dhe do ta nënshkruajë asociacionin.

    Ajo ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke e akuzuar se dialogun Kosovë – Serbi nga marrëveshja politike e ka kthyer në problem të sigurisë.

    “Plani franko – gjerman nuk ka pikur nga qielli. Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite.

    Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë – Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë.  Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër.

    Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministrk Kurti do të nënshkruaj asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur.

    Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik. Kaq për gjenialitetin e Kryenegociatorit Kurti”, shkruan Çitaku.

    Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur agjendën e takimit në Bruksel.

    Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.

    Ndërsa, pas kësaj do të ketë një takim të përbashkët.

    “Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.

    Në fund të takimit bëhet e ditur se do të ketë deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

    Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe Kurti edhe Vuçiq.

    Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian, si rrugë për normalizim të marrëdhënieve. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!