×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi institucional

    Çka do të ndryshonin zgjedhjet e reja parlamentare?

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 17:38

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë duke u përmendur si mundësi për të thyer bllokadën institucionale në Kosovë, por jo të gjithë besojnë se ato do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në raportin e forcave politike.

    Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt.

    Dhjetëra tentativat për të konstituar Kuvendin nuk sollën asnjë rezultat.

    Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk po arrin t’i sigurojë votat për t’u zgjedhur kryeparlamentare, hodhi idenë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale, më vonë këtë vit.

    Albert Krasniqi, nga organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), vlerëson se zgjedhjet mund të jenë e vetmja rrugëdalje, në rast se mungon kompromisi për konstituimin e Kuvendit.

    Megjithatë, ai nuk pret që ato të sjellin ndryshime të mëdha në përfaqësimin e partive në Kuvend.

    “Në termin e numrave mund të ketë lëvizje, e cila partitë politike mund t’i forcojë ose dobësojë, por, natyrisht, nuk mund të ketë ndryshime të mëdha për një kohë kaq të shkurtër”, thotë Krasniqi.

    Opozita me dyshime për efektin e zgjedhjeve të reja

    Nëse për Lëvizjen Vetëvendosje – e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo me mjaftueshëm vota për të formuar e vetme qeverinë – zgjedhjet e reja janë zgjidhje, për pjesën më të madhe të opozitës, ato nuk do ta ndryshojnë situatën në mënyrë thelbësore.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se nëse zgjedhjet e reja mbahen, ato nuk duhet të mbahen së bashku me lokalet.

    “…pse duhet pritur afati i zgjedhjeve lokale, që i bie diku në mesin e tetorit? Duhet të shkojmë shumë më herët”, thotë Tahiri.

    Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, zgjedhjet e reja nuk do të zgjidhnin asgjë.

    Deputeti dhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, thotë se ato do të ishin thjesht një “përsëritje e zgjedhjeve të 9 shkurtit”, sa u përket rezultateve që do të dilnin prej tyre.

    “Për LDK-në, zgjedhjet tani janë të papranueshme. Nuk besoj që zgjidhin diçka, përveçse mund ta përmirësojnë fjalorin e partisë së parë [LVV-së], sepse në procesin [e kaluar] zgjedhor ka pasur fushatë negative, fjalor denigrues – gjë e cila është bërë problem”, thotë Haziri.

    Ai shton se edhe nëse Vetëvendosje e përmirëson fjalorin ndaj partive të tjera, kjo me shumë gjasa nuk do ta ndryshojë qëndrimin e LDK-së për bashkëpunim me të.

    Por, ai nuk e përjashton mundësinë e ndonjë bashkëpunimi në të ardhmen, nëse rrethanat, siç shprehet, bëhen më favorizuese.

    Fjalori që është përdorur, nuk duhet të përdoret më, thotë edhe Bekë Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke theksuar se kjo është thelbësore për të kapërcyer krizën politike që po shtyn drejt zgjedhjeve të parakohshme.

    “[Zgjedhjet] nuk do të ndryshonin asgjë [në rezultatin e partive]. Por, më e mira do të ishte sikur ne të kuptonim – të gjitha partitë politike dhe aktorët e partive politike – se duhet ta ndalim armiqësinë… Nuk kemi lënë vend as të ulemi, as të bisedojmë”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

    Edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, edhe pas, gjuhë denigruese është përdorur nga disa përfaqësues politikë – përfshirë kryeministrin në detyrë të Kosovës dhe udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!