×
  • Lajme
  • Lajme

    Çka i pret dy vëllezërit që vranë hajnin në Shtime, sipas Kodit Penal

    Reporteri
    09 Gusht 2019 | 9:45

    Një muaj paraburgim dhe një muaj arrest shtëpiak ka caktuar Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj dy vëllezërve N. Ndrecaj dhe A. Ndrecaj, të cilët dyshohen për vrasjen e një personi, i cili bashkë me një person tjetër kishin hyrë në shtëpinë e tyre për të grabitur.


    Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në Shtime. Sipas Gjykatës, të dyshuarit me dashje e kanë privuar nga jeta të F.G., i cili është djalë i një zyrtari policor nga Graçanica, shkruan KD.

    Të dyshuarit F.G. të enjten i është bërë obduksioni nga Mjekësia Ligjore. Në media është raportuar se sipas obduksionit plagët e shkaktuara nga goditjet me shkopinj ia kanë marrë jetën personit që kishte hyrë për të grabitur në Shtime.

    Çka parasheh Kodi Penal në këso rastesh?

    Kodi Penal i Kosovës e rregullon Mbrojtjen e nevojshme. Neni 12 i tij, thotë se “vepra e kryer në mbrojtje të nevojshme nuk është vepër penale”. Paragrafi i 2 i këtij neni tregon se “mbrojtja e nevojshme është mbrojtja e cila është e domosdoshme për të zmbrapsur sulmin e kundërligjshëm, real dhe të atëçastshëm ndaj vetes ose personit tjetër me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me shkallën e rrezikut që paraqet sulmi”.

    Megjithatë, sipas paragrafit 3 disproporcioni ndërmjet sulmit dhe zmbrapsjes së sulmit konsiderohet tejkalim i kufijve të mbrojtjes së nevojshme. “Kryesi i cili i tejkalon kufijtë e mbrojtjes së nevojshme mund të dënohet më lehtë. Nëse kryesi tejkalon kufijtë për shkak të tronditjes së fortë apo frikës së shkaktuar nga sulmi, ai mund të lirohet nga dënimi”, thuhet në paragrafin 4 të këtij neni.

    Ehat Miftari nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) ka thënë për gazetën se mbrojtja e nevojshme zbatohet në ato raste kur është e domosdoshme për të zmbrapsur sulmin e kundërligjshëm, real dhe të atëçastshëm ndaj vetes ose personit tjetër me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me shkallën e rrezikut që paraqet sulmi.

    “Kodi Penal i Kosovës ka përcaktuar se mbrojtja e nevojshme zbatohet në rastet kur personi i caktuar është subjekt i një sulmi të kundërligjshëm, i cili sulm duhet të jetë real. Mbrojtja në këto raste duhet të jetë në proporcion me sulmin dhe rrezikun qe paraqet sulmi. Në këtë drejtim në rastet kur ka disproporcion në mes të sulmit dhe zmbrapsjes së sulmit konsiderohet tejkalim i kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, ka thënë Miftari.

    Miftari ka thënë se çdo rast është individual dhe është obligim i prokurorit të shtetit që secilin rast ta hetojë në mënyrë të pavarur dhe profesionale për t’i sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me faktin nëse rasti në fjalë hyn në kuadër të mbrojtjes së nevojshme dhe nëse ka tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.

    Ka thënë se në rast të tejkalimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, vepra pastaj hyn në sferën penale.

    Sipas Kodit Penal, përkatësisht nenit 172 “Kushdo që e privon personin tjetër nga jeta dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”.

    Gjatë vitit të fundit Policia e Kosovës ka raportuar për rritje të numrit të grabitjeve me armë.

    Sipas raportit policor për vitin e kaluar, kishin ndodhur 297 grabitje, prej të cilave 199 kanë qenë të armatosura.

    Shkaku i këtyre ka pasur edhe kundërreagime të cilat kanë përfunduar edhe me vrasje. Një rast i tillë ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në “Veternik” të Prishtinës, ku Ridvan Beqiri nga Ferizaj kishte lënë të vdekur Kujtim Krasniqin, i cili kishte hyrë në pronën e tij, për të kryer vjedhje bashkë me disa persona të tjerë. Policia kishte marrë në pyetje Beqirin, e më pas me urdhër të prokurorit të shtetit është liruar dhe nuk është ngarkuar me ndonjë akuzë të veprës penale, pasi është konsideruar se vepra është bërë në mbrojtje të nevojshme dhe se armën e kishte me leje

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!