×
  • Lajme
  • Lajme

    Çmimet e ilaçeve në Kosovë, sipas dëshirës së farmacistëve

    Reporteri
    11 Mars 2023 | 13:50

    Keqpërdorimet me çmimet e barnave në farmacitë e Kosovës po i kushtojnë shumë xhepit të qytetarëve.

    Ata thonë se çmimet e barnave janë të larta në krahasim me të ardhurat që i kanë.

    Ndërsa nga Oda e Farmacistëve të Kosovës thonë se mungesa e ligjit që rregullon çmimet e barnave, shkakton një kaos të madh në sektorin farmaceutik.

    “Në këto dy barnatore që janë të ngjitura me njëra tjetrën, të njëjtin produkt e blej më çmim të ndryshëm e kjo është shumë shqetësuese. Ndërsa në raport me vendet e rajonit çmimet ndryshojnë shumë”, thotë një qytetar për Radio Kosovën.

    “Një injeksion qe blihet këtu për trajtimin e një sëmundje në Kosovë kushton 500 euro, ndërsa i njëjti injeksion në Turqi është 70 euro, dikush duhet të shkojë në burg për këtë keqpërdorim. Në krahasim më nivelin e pagave në Kosovë, çmimet e barnave janë shumë të larta”, thotë një tjetër.

    Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Zajmi, thotë për Radio Kosovën se mosrregullimi i çmimeve po shkakton një kaos të madh në sektorin farmaceutik dhe më së shumti këtë e vuajnë pacientët që duhet t’i paguajnë barnat shumëfish më shtrenjtë.

    Zajmi thotë se Kosova është vendi i dytë pas Bjellorusisë, që nuk e ka të rregulluar çmimin e barnave. Ai thekson se ka pasur edhe grupe të interesit që kanë tentuar ta ndalin miratimin e ligjit.

    “Natyrisht që ka grupe të interesit që kanë tentuar ta ndalin ligjin, ka pasur edhe farmacistë që kanë tentuar ta ndalin ligjin por ka qenë një numër i vogël dhe i papërfillshëm. Mirëpo shpresojmë që ky ligj kur të shkojë në parlament, ta gjejë rrugën e duhur deri në aprovim”, thotë Zajmi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!