×
  • Lajme
  • Lajme / Tarifat

    Çmimi i rrymës për bizneset pritet të rritet deri në 30 përqind

    Reporteri
    29 Prill 2025 | 14:13

    Deri në 30 për qind pritet të shtrenjtohet çmimi i energjisë për bizneset e mëdha, paralajmërojnë përfaqësues të disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

    Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.

    Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?

    Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim.

    Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

    Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha – konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

    Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

    Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

    Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni.

    Disa prej tyre kanë nisur negociatat me prodhues të energjisë në rajon për të siguruar kapacitetet e nevojshme për furnizimin e klientëve të rinj.

    Ndërkohë, disa biznese, po kërkojnë kompani vendore për të negociuar çmimin për rrymën.

    Bizneset përballë zgjedhjes së furnizuesve të rinj

    Drilon Brahimi, drejtor i përgjithshëm i kompanisë Tredint Group L.L.C, e cila u licencua për furnizim me energji elektrike në fund të vitit të kaluar, thotë se janë në fazën e hulumtimit të tregut për të siguruar çmime më të volitshme, por ende nuk kanë nënshkruar asnjë kontratë me kompani prodhuese nga rajoni.

    “Shumë kompani vendore, konkretisht ato prodhuese, kanë filluar të na dërgojnë profilin vjetor të konsumit energjetik dhe po kërkojnë informacione rreth çmimit. Ne jemi në fazën e përgatitjes së ofertave. Përgjigjja konkrete për secilën pritet t’iu dërgohet në fillim të majit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Megjithatë, Brahimi thekson se çmimi për muajt e parë pritet të jetë deri në 30 për qind më i lartë se tarifat aktuale të energjisë.

    Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 13.29 centësh.

    Nga 1 maji hyjnë në fuqi tarifat e reja, me një rritje prej 16.1 për qind, por ato nuk do të zbatohen për bizneset me mbi 50 punëtorë.

    Rritjen prej 30 për qind për kompanitë e mëdha e paralajmëron edhe Diamant Dalladaku nga kompania Enerco LLC.

    Edhe ai thotë se ende nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë me kompani të huaja dhe se janë në proces të hulumtimit të tregut.

    “Liberalizimi i tregut të energjisë është një proces i ri dhe gjatë zbatimit po paraqiten sfida. Si problem në kohën e përgatitjes është mungesa e informacioneve për energjinë që shpenzojnë bizneset, të cilat po dalin në tregun e hapur”, thotë Dalladaku për Radion Evropa e Lirë.

    Në raportin vjetor të ZRRE-së thuhet se vitin e kaluar mbi 5.400 gigavatë në orë (GWh) ka qenë sasia e përgjithshme e energjisë së shitur te të gjithë konsumatorët në Kosovë. Nga kjo sasi, 3.156 GWh apo 58.4 për qind janë shpenzuar nga konsumatorët familjarë, kurse pjesa tjetër, 2.041 apo mbi 37 për qind, është shpenzuar nga konsumatorët jofamiljarë dhe në këtë kategori përfshihen të gjitha bizneset. /REL/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!