Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka folur për gjykimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.
Çollaku tha se po bëhen deklarata të tilla që UÇK-ja nuk po gjykohet, kjo për t’i ulur tensionet duke e parë numrin e madh të qytetarëve që marshuan të dielën për drejtësi.
“Nuk është e vërtetë që nuk po gjykohet UÇK-ja. Prokuroria në fjalën e vetë hyrëse, të katër të akuzuarit i cilësoi si themelues të UÇK-së dhe në nenin 35 të aktakuzës, UÇK-ja fillon që nga shtabi i përgjithshëm e deri te ushtari i thjeshtë dhe të gjithë janë të përfshirë në atë aktakuzë”, tha Çollaku në një intervistë në Klan Kosova, përcjell Reporteri.net.
“Deklaratat e tilla unë i kuptoj pse bëhen. Bëhen për t’u përpjekur që ta mbajnë të qetë opinionin publik në Kosovë sidomos pas marshit masiv për drejtësi”, shtoi ai.
Tutje, Çollaku thotë se ky solidaritet i qytetarëve me kërkesë për drejtësi i ka shqetësuar Dhomat e Specializuara.
“Dhomat e Specializuara sigurisht se janë të shqetësuara me një solidaritet kaq të madh të qyteteve të Kosovës të cilët kishin një kërkesë të vetme: kërkesa për drejtësi”.
Megjithatë sipas tij kjo kërkesë e gjithë popullit të Kosovës nuk po reflektohet.
“Nëse iu rikthehemi në retrospektivë të gjitha proceseve gjyqësore që kanë ndodhur në të cilat Kosova dhe qytetarët e saj kanë qenë subjekt i tyre, vërehet qartë që shumë më shumë të dënuar ka shqiptarë të Kosovës se sa që ka serbë”.
“Shtrohet pyetja, a kanë luftuar shqiptarët e Kosovës në Serbi, apo Serbia e ka pushtuar Kosovën dhe nëpërmjet regjimit të Milloshoviqit ka dashur ta shfarosë ose nëse nuk e arrin këtë, atëherë që t’i përndjekë të gjithë qytetarët e Kosovës nëpërmjet spastrimit etnik”, shtoi Çollaku.
Ndër të tjera ai ka thënë se nuk mund t’i veshësh UÇK-së epitete që nuk kanë ekzistuar asnjëherë.
“Qëllimi i vetëm i themelimit të UÇK-së që ka filluar nga pragu i shtëpisë, pastaj në fshat, pastaj në një rajon të caktuar, e pastaj në nivel të Kosovës, ka qenë liria dhe mbrojtja nga okupatori serb”.
Në ditën e dytë të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot ka folur pala mbrojtëse. /Reporteri.net/.