×
  • Lajme
  • Lajme

    Daci për qeverinë e re: Nuk pres çudira

    Reporteri
    27 Tetor 2019 | 17:27

    Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ish-politikani Nexhat Daci, thotë se qytetarët presin gjithmonë që pushtetet e reja të jenë më efikase.


    Daci thotë se Qeveria e re e Kosovës, duhet të tregohet e aftë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët.

    “Unë besoj që është shumë mirë kur në zgjedhje ndërrohen garniturat. Është një freski, nuk do të thotë se janë më të mirë apo më të këqij, por qytetarët presin gjithmonë që pushtetet e reja të jenë më efikase apo duhet të jenë më efikase. Prandaj, unë mendoj që është bërë mirë që opozita i ka fituar zgjedhjet sepse vetëm në atë mënyrë faktikisht është lëvizja e ujit, nuk bëhet amull uji dhe kur bëhet amull, nuk pihet. Prandaj, zakonisht njerëzit presin që kur opozita të vjen, duhet të tregohet e aftë në zgjidhjen e problemeve që ka jeta e njerëzve dhe shpresoj të kenë sukses”, ka deklaruar Daci në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, shkruan Reporteri.net.

    I pyetur se në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe të Kosovës do të ketë suksese qeveria në ardhje, Daci thotë se do të punohet, por çudira nuk do të ketë.

    “Nuk do të ketë sepse ambienti i krijuar politik humb shumë kohë për normativa të reja për standarde të reja. Por, unë shpresoj se kësaj radhe me kryeministrin e ri që për herë të parë është në fuqi, gjërat do të lëvizin më shpejt në drejtim të jetës së qytetarëve”, ka thënë ai.

    Ndërkaq i pyetur se a do të arrijë një marrëveshje me Serbinë, qeveri Kurti, ish-politikani i LDK-së Daci thotë se po i pëlqejnë deklaratat e njerëzve që mund të jenë në qeverinë e re, që nuk lodhen shumë çka mendon tjetërkush, por çka kërkon populli, votuesi.

    “Unë kam një zhgënjim enorm të madh në bashkësinë ndërkombëtare. Premtime tepër të mëdha prej dhjetë vjetësh më parë deri tash. Për qarkullimin e lirë, për udhëtimin pa viza dhe asnjëherë nuk i përmbahen premtimeve e as vendimeve të forumeve më të mëdha, siç është Parlamenti Evropian e këto të tjerat”, thotë ai.

    Kurse sa i përket heqjes së taksës, Daci thotë se heqja e përnjëhershme pa e studiuar dhe pa i parë veprimet e Serbisë do të ishte jo dobiprurëse.

    “Por, edhe insistimi është jashtë kohës tashmë. Do të thotë unë besoj se qeveria e re, me sa i kam përcjell debatet, në veçanti kryeministrin e ri e përcjelli më me shumë vëmendje se sa të tjerët, besoj se duhet të rritet një optimizëm në këtë drejtim për vendoret (prodhimet vendore)”, ka deklaruar Daci. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!