×
  • Lajme
  • Lajme

    Dallaveret në RTK: Kryesindikalisti Fadil Hoxha e propozoi vetën si shef njësie, u pagua edhe për ditët që nuk e kishte këtë pozitë

    Reporteri
    20 Maj 2022 | 18:38

    Përderisa rregullorja e RTK-së përcakton se avancimet propozohen nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i punëtorit, kryetari i SPRTK-së, Fadil Hoxha, e kishte propozuar vetën për t’u avancuar nga hulumtues i programit për analizë dhe statistikë në RTK, në udhëheqës të njësisë. Kjo në kundërshtim me rregullativën e brendshme të RTK-së. Për më tepër, Hoxha kërkoi dhe u pagua si shef retroaktivisht për ditët që s’kishte punuar. Propozimin ia kishte nënshkruar dhe miratuar Mentor Shala, pak kohë pasi të dy kishin nënshkruar një aktpajtim.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), Fadil Hoxha, publikisht ishte i zëshëm ndaj menaxhmenteve të RTK-së, por dokumentet e siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net tregojnë se situatën brenda e kishte më të relaksuar dhe ka përfituar një avancim në detyrë e pagë në mënyrë të dyshimtë.

    Fadil Hoxha në vitin 2018 ishte sistemuar, përkatësisht avancuar nga hulumtues i programit, analizës dhe statistikës, në udhëheqës të njësisë.

    Ai i kishte rënë shkurt avancimit të tij, në kundërshtim me rregulloren për avancimin e të punësuarve të RTK-së.

    Për pozitë dhe për t’ia “trashur xhepin vetës”, kryesindikalisti, del se kishte shkelur rregullat, pak kohë pasi duke qenë në proces disiplinor për dëmtim imazhi të RTK-së, nënshkroi aktpajtim me ish-drejtorin e përgjithshëm, Mentor Shala.

    Gazeta Online Reporteri.net përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në RTK, ka siguruar formularin për avancim të shkruar dhe nënshkruar nga Fadil Hoxha në qershor të vitit 2018, ku e kishte propozuar vetën për t’u bërë udhëheqës i Njësisë së Hulumtimit të Programit. Në këtë formular, Hoxha i kishte shkruar vetë edhe arsyet e avancimit.

    Nga 20 avancime të menaxhmentit që janë bërë nga viti 2015 deri më tani, e të cilat Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në RTK, del se i vetmi kryesindikalisti Fadil Hoxha e kishte propozuar vetën për udhëheqës të njësisë. Të tjerët janë propozuar për avancim nga eprorët e tyre dhe janë miratuar nga drejtori i përgjithshëm. Ky proces përcaktohet nga rregullativa e brendshme e RTK-së.

    Sipas rregullores në fuqi për avancimin e të punësuarve të RTK-së, të miratuar më 13.03.2017, që është publike në ueb-faqen e RTK-së, del që avancimi i z. Hoxha të jetë i në kundërshtim me rregullativën e brendshme të RTK-së, pasi propozimi nuk mund të bëhet nga vetë punëtori.

    Neni 4 i kësaj rregulloreje specifikon se “avancimi bëhet në bazë të propozimit me shkrim të cilin e bën mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i të punësuarit”. Pra, jo i punësuari ta propozojë direkt vetën te drejtori i përgjithshëm, siç ka ndodhur në rastin konkret.

    Për më tepër, sipas rregullores, avancimi bëhet “pas përfundimit të procesit të vlerësimit të performancës nga drejtorët e njësive programore dhe udhëheqësit e sektorit”, vlerësim ky që nuk kishte ndodhur në rastin e Hoxhës.

     

    Hoxha kërkoi dhe u pagua nga RTK-ja si shef njësie edhe për ditët që nuk e kishte kryer këtë detyrë

    Dokumenti i avancimit tregon se vetëpropozimin Hoxha e kishte bërë më 19 qershor 2018, kurse datën për fillimin e vendit të ri të punës e kishte shënuar 19 ditë më herët, prej 1 qershor 2018. Kështu ai i kishte mundësuar vetës që të paguhej retroaktivisht me rritje page si udhëheqës i njësisë për tërë muajin qershor, edhe pse nuk ka qenë në këtë pozitë që nga fillimi i muajit, siç e ka zbuluar edhe ai edhe vet në kërkesën e tij për avancim.

    Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar qasje në kontratat e Hoxhës, për të parë se me cilën datë ka filluar punën, dhe aty figuron se kontrata e re e punës si Udhëheqës i Njësisë së Hulumtimit ishte protokolluar më 28 qershor 2018, ndërsa kishte filluar së zbatuari gati një muaj më herët, më 1 qershor 2018, sipas kërkesës së Hoxhës së parashtruar në formular.

    Rrjedhimisht, Hoxha kishte filluar të paguhej me retroaktivitet si udhëheqës, gati një muaj më herët, pa punuar fare në atë pozitë.

    Gazeta Online Reporteri.net gjatë gjithë javës ka provuar që me e-mail të marrë përgjigje nga Fadil Hoxha dhe sqarime tjera për avancimin e tij në mënyrë të dyshimtë në RTK, por i njëjti deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje. Ai, në një komunikim me gazetën, përmes telefonit, ka njoftuar se i ka pranuar pyetjet, por se edhe më tutje nuk ka kthyer përgjigje.

    Po ashtu, Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar sqarime rreth avancimit të Hoxhës në RTK edhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të mediumit publik, Shkumbin Ahmetxhekaj, por as ai nuk ka kthyer përgjigje. Nga të gjitha pyetjet e dërguara tek ai me e-mail, gazeta ka marrë përgjigje vetëm në pyetjen se sa punëtorë ka pasur Departamenti për Analizë dhe Statistikë kur është bërë Njësi, duke treguar se “kur është bërë njësi ky departament ka pasur 3 (tre) punëtorë”. Madje, përgjigja i është bashkangjitur dokumenteve që RTK-ja është obliguar t’ia përcjellë gazetës përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, duke mos sqaruar se kujt t’i atribuohet. Rrjedhimisht, nga drejtuesit e RTK-së deri në botimin e artikullit nuk janë pranuar sqarime shtesë, të kërkuara, rreth avancimit të punonjësit Fadil Hoxha në RTK.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!