×
  • Lajme
  • Lajme / Samiti

    Darka BE-Ballkani Përendimor, Von der Leyen publikon foto përkrah Osmanit, Ramës, Vuçiqit e liderëve tjerë të rajonit

    Reporteri
    15 Maj 2025 | 22:49

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka publikuar një fotografi nga Tirana përkrah liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe krerëve të Bashkimit Evropian, në kuadër të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet për herë të parë në rajon.

    Tirana është bërë qendra e politikës evropiane me ardhjen e 47 liderëve nga gjithë kontinentit, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Në fotografi të publikuar nga Von der Leyen, shihen presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti shqiptar Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe liderë të tjerë të rajonit dhe të BE-së.

    “Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Është i pari në Ballkanin Perëndimor. Çfarë simboli i fuqishëm. Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet shumë më tej se kufijtë e Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët,” shkroi Von der Leyen në platformën X.

    Për darkën që i parapriu samitit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, theksoi rëndësinë e këtij takimi për të ardhmen e rajonit.

    Milatoviq, ka riafirmuar zotimin e vendit të tij për rrugën evropiane, duke theksuar se e ardhmja e Malit të Zi dhe e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

    Deklarata e Milatoviqit u bë në prag të nisjes së Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po zhvillohet në Tiranë, gjatë një darke zyrtare me liderët më të lartë të institucioneve evropiane dhe përfaqësues të vendeve të rajonit.

    “E ardhmja e Malit të Zi dhe Ballkanit Perëndimor është në BE,” shkroi Milatoviq në rrjetin social X (ish-Twitter), duke ndarë edhe fotografi nga takimi i nivelit të lartë.

    Samiti i EPC në Tiranë pritet të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, me fokus në çështje kyçe si integrimi evropian, siguria, energjia dhe zhvillimi ekonomik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!