×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet lokale

    Data caktohet e partitë nisin përgatitjet – kush janë kandidatët për kryetarë komunash që u zyrtarizuan deri më tani

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 10:01

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.

    Partitë politike tashmë veçse kanë nisur përgatitjen dhe shpalljen e kandidaturave për disa komuna. Në disa komuna, disa kandidatë synojnë edhe një mandat, e ka të tjerë që kandidojnë për herë të parë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Deri më tani Lëvizja Vetëvendosje ia ka dhënë besimin edhe për një mandat të dytë kryetarit të tanishëm të Shtimes, Qemajl Aliut; kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliq, kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe Alban Hysenit të Gjilanit. VV-ja po ashtu ka shpallur kandidaturën e Egzona Tërdevcit për kryetare të Drenasit dhe Valon Prebrezës, kandidat i kësaj partie për kryetar të Fushë Kosovës.

    Deputeti Halil Thaçi do të jetë kandidat i VV-së për kryetar të Obiliqit.

    Shaqir Totaj nga PDK ka konfirmuar se do të synojë pozitën e kryetarit të komunës së Prizrenit edhe për një mandat. Rikandidimin e tij e ka konfirmuar edhe Ramiz Lladrovci i Drenasit.

    Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri më tani publik e ka bërë emrin e Arbër Ismajlit si kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit. Gazmend Muhaxheri po ashtu pritet të garojë edhe për një mandat të ri si kryetar komune.

    Përparim Rama po ashtu ka konfirmuar se do të garojë edhe për një mandat në krye të Prishtinës.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ia ka dhënë besimin Zenun Elezajt për të garuar edhe për një mandat për komunën e Klinës dhe Bali Muharremajt për një mandat të ri katërvjeçar në krye të komunës të Suharekës. Po ashtu edhe një mandat në krye të komunës së Gjakovës do ta kërkojë edhe Ardian Gjini nga kjo parti, e po ashtu edhe Smajl Latifi i Rahovecit e Bashkim Ramosaj i Deçanit.

    Ali Berisha, do të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Pejës, dhe Ajet Avdyli kandidat për komunën e Artanës.

    Partia Socialdemokrate (PSD) para disa ditësh e ka bërë publike kandidaturën e Natyra Kuçit për kryetare të Komunës së Deçanit dhe Besa Shahini ka shpallur kandidaturën për kryetare të Prishtinës.

    Derisa Kosova po afrohet drejt zgjedhjeve lokale nuk është arritur ende konstituimi i Kuvendit të Kosovës, fiks 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!