×
  • Lajme
  • Lajme / Kryesuesi

    Dehari ia ndali fjalën Memli Krasniqit sot gjatë seancës, ia lejoi përfaqësuesit të Listës Srpska

    Reporteri
    03 Maj 2025 | 19:51

    Deputetët e Kosovës janë mbledhur sot sërish në tentativën e dhjetë për konstitumin e Kuvendit, e cila dështoi.

    Gjatë kësaj seance, Kryesuesi Avni Dehari ia ka ndalur fjalën në gjysmë Kryetarit të PDK’së, Memli Krasniqit, shkruan Reporteri.net.

    Dehari i ftoi partitë të propozonin kandidat për Komisionin lidhur me propozimin për votimin e fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

    Krasniqi doli në foltore teksa i tha Deharit që të mos bëhet pjesë e “shkeljes ligjore dhe kushtetuese”, duke aluduar për përpjekjen për ndryshimin e formës së votimit.

    “I nderuar kryesues, ju ftoj që përkundër presionit që e ken inga partia që I takoni, mos u bëni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese”, tha Krasniqi.

    Dehari iu kthye duke i thënë që vetëm të propozojë kandidatin për kryetar komisioni, apo në të kundërtën e paralajmëroi se do t’ia ndalë fjalën. Ashtu edhe veproi.

    “Ju lutem, nuk ka diskutime nëse keni të propozoni kandidat”, tha Dehari

    Krasniqi iu përgjigj se “nuk ka propozim, mos e shkelni Kushtetutën”.

    Aty reagoi sërish Dehari ku i kërkoi regjisë që t’ia ndërprejë fjalën Krasniqit.

    “Ju lutem regjia, mikrofoni të ndalet”, tha Dehari.

    Pas Krasniqit, për ta propozuar kandidatin për Komision, u ftua përfaqësuesi i Listës Serbe.

    Për dallim nga Krasniqi, Igor Simiqit iu lejua që ta vazhdojë fjalën deri në fund.

    Lidhur me këtë, më herët bëri një reagim Nënkryetarja dhe deputetja e PDK’së, Vlora Çitaku, e cila e cilësoi këtë si “turp”.

    “Madje sot, Kryesuesi i Kuvendit ia ndali fjalën Kryetarit të PDK-së dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, z. Memli Krasniqi, ndërkohë që fjalën nuk ia ndali përfaqësuesit të Listës Serbe. Sinqerisht, për turp”, ka shkruar Çitaku.

    Ndryshe, deputetët për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.

    Propozimi për votim të fshehtë u bë në seancën e së enjtes nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, por që nuk u përkrah nga partitë tjera. U cilësua si precedent i rrezikshëm dhe kundërkushtetues.

    Indeksi i lirisë së shtypit, Rexha: S’kemi pritur përmirësim, por as rënie kaq të madhe

    PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar fare emra për anëtarë të Komisionit, në asnjërën nga seancat.

    “Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Hekuran Muratin, ndërsa subjektet që nuk i kanë propozuar anëtarët e komisionit, janë: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma Socialdemokrate”, deklaroi Dehari.

    Ai kërkoi nga këto parti të propozojnë nga një anëtar, mirëpo s’pati propozime.

    Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar, u hodh në votim.

    “Kemi 54 vota për, kundër kemi një dhe nuk kemi asnjë abstenim. Atëherë obligohem ta ndërpres seancën, sepse nuk ka kuorum, dhe të shihemi të hënën, në orën 10:00”, ka deklaruar kryesuesi Dehari.

    Lëvizjes Vetëvendosje i është kërkuar disa herë ta ndërrojë kandidaten për kryetare kuvendi, duke ia bërë të qartë se nuk do ta votojnë.

    Haxhiu po konsiderohet si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja ta ndryshojë emrin për kryeparlamentar dhe madje AAK-ja ka përmendur edhe dy emra – Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi, si emra që do t’i votonte.

    LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!