Gazetari Adriatik Kelmendi ka paralajmëruar padi ndaj Dejona Mihalit të LVV’së duke thënë se u zbulua “koka” e shpifjeve për të. Kjo Mihali sulmoi autorin e emisionit “Rubikon” duke i përmendur babanë në një reagim në Facebook. Për këtë ka reaguar edhe AGK-ja që ka dënuar siç u tha sulmet personale të Dejona Mihalit të VV-së kundër gazetarit Kelmendi.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është i shqetësuar me vazhdimin e retorikës së papranueshme nxitëse kundër gazetarëve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosjes. AGK-ja dënoi të hënën fuqishëm sulmin personal dhe familjar, që zyrtarja e kësaj partie politike, Dejona Mihali ka bërë kundër gazetarit, dhe autorit të emisionit ‘Rubikon’, Adriatik Kelmendi.
“Mihali, sikurse zyrtarë të tjerë të VV-së në këtë mënyrë kanë vazhduar me sulme të rënda ndaj gazetarëve dhe medieve, menjëherë pas publikimit të raportit të Reporterëve Pa Kufij, që e rangon Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e medias”, thuhet në reagim.
Reagimet e Vetëvendosjes dhe zyrtarëve të saj kanë nxitur qindra komente me fjalor kërcënues ndaj gazetarëve, mediave dhe AGK-së në tri ditët e fundit, thekon kumtesa.
“AGK-ja edhe një herë e fton këtë parti politike, që të ndryshojë kursin për minimin e vazhdueshëm të lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”.
Dejona Mihali, sot gjatë ditës linçoi gazetarin Kelmendi publikisht përmes një postimi në Facebook. Shkoj deri aty sa gazetarit kosovar iu përmend edhe babai.
“Po vihet re një fenomen i ri në publik këto ditë. Sa herë i referohet dikush LDK me ndonjë kërkesë politike, i pari përgjigjet Adriatik Kelmendi i Devollëve. (Kuptohet pasi që paralelish ka folur PDK për ta, por ky nuk është lajm i ri.) A thua pse vallë? Miqtë e Adriatikut nuk po lënë vend pa thënë se Devollt duan ta kandidojnë për Kryetar Komune z. Kelmendi. Secili mund të mendojë që për Pejën e kanë fjalën. Jo. Aty mbase ja njohin më shumë se sa duhet babain Adriatikut. Devollt duan ta kandidojnë për Prishtinën. Po ende nuk e kanë gjetur saktë partinë. Ose a duan përfundimisht Adriatikun apo Uran Ismajlin”, shkroi Mihali e VV’së.
Ndaj saj ka reaguar edhe vetë Kelmendi që paralajmëroi padi ndaj Dejona Mihalit që sipas tij “është e bija e Aleksandër Mihalit, që ishte deklaruar si grek”.
“U zbulua më në fund se kush qenka koka e shpifjeve për mua dhe familjen time! Qenka e bija e Aleksandër Mihalit. Aleksandër Mihali, sipas Regjistrit të Gjendjes Civile në Shqipëri, është deklaruar si grek. Kjo nuk do të ishte edhe aq problematike, në qoftë se e bija e tij, Dejona, ka shumë vjet që e maskuar nën një subjekt politik në Kosovë, është në krye të agjendave antishqiptare kudo. Për këtë aktivitet edhe ishte shpallur non grata nga Republika e Kosovës.”
Ai shtoi se familja e tij njihet dhe respektohet në krejt Kosovën. Kelmendi ka thënë se babai i tij ishte dëbuar nga puna nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1990.
“Pse unë nuk flas për familjen time të dashur e të respektuar në krejt Kosovë, e edhe shqiptari? E para, se edhe familjen time të ngushtë dhe të gjerë e njohin të gjithë, por e bija e grekut bëhet që s’e di. E dyta – se të gjithë e dinë, por e bija e grekut bëhet që s’e di – se babain tim e ka dëbuar regjimi i Milosheviqit nga puna ndër të parët në vitin 1990, duke ia ndaluar të merret me drejtësi, e as avokati (gjë që nuk ka vlejtur për shumë prokurorë, gjykatës, avokatë shqiptarë)”.
Kelmendi thotë se babai i tij që nga pensionimi punon si avokat dhe ka paralajmëruar që do të ngre padi ndaj Mihalit.
“Dejonë, e bija e grekut, për tentim-dëmtimi të imazhit, shihemi në gjykatë!”