×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Deklarata e Hotit, Haziri: LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë së saj – po silleni sikur LDK-së i ka ra morti

    Reporteri
    18 Mars 2025 | 16:17
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i ka reaguar deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit i cili tha se lidershipi duhet ndryshuar pas rezultatit nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Haziri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë së saj.

    Ai ka shkruar se kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka ardhur nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik, e që sipas tij ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët.

    “Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, ka shkruar Haziri në Facebook.

    Avdullah Hoti ka kërkuar një lidership të ri brenda LDK-së pasi thotë se rezultati për partinë e tij nuk është i kënaqshëm, dhe duhet bërë një gjë e tillë për të kthyer besimin e qytetarëve.

    Ai ka listuar disa arsye pse LDK-së i duhet një udhëheqje e re.

    “Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, shkroi sot Hoti në Facebook.

    Rezultati i dobët në zgjedhje, Hoti godet Abdixhikun: LDK-ja ka nevojë për lidership të ri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!