×
  • Lajme
  • Lajme / "Pezullimi i vizave"

    Deklarata e Macronit për vizat dhe “mosmbajtja e fjalës”, Osmani: I kemi diskutuar këto çështje në Granada, besoj në mirëkuptim për tejkalimin e sfidave

    Reporteri
    18 Tetor 2023 | 14:45

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur  sërish për deklaratën që dha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën në Tiranë, rreth çështjes së vizave, çka ngjalli reagime të shumta e paqartësi të mëdha.

    Osmani tha se i qëndron asaj që ka thënë mbrëmë rreth kësaj çështje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    E pyetur për më shumë, Osmani u shpreh se beson në mirëkuptimin e presidentit francez për tejkalimin e krizave të përbashkëta dhe se kanë diskutuar për këto çështje në samitin në Granada.

    “I kam diskutuar të gjitha këto me presidentin Macron gjatë takimit tonë në Granada dhe besoj që do të kemi mirëkuptim në tejkalimin e sfidave”, tha shkurt Osmani për EO.

    Për këtë çështje, presidentja e vendit foli edhe mbrëmë teksa theksoi se institucionet franceze i kanë njoftuar se procesi i liberalizimit të vizave nuk është pezulluar.

    “Besoj që tashmë është sqaruar. Neve edhe drejtpërdrejt na kanë njoftuar institucionet franceze, por një gjë e tillë sa e pash edhe nga deklaratat e shumta që ka qenë një lloj dallimi në përkthim, në fakt ky proces nuk është pezulluar, sepse ligjërisht as nuk mund të pezullohet nga një shtet”, tha Osmani mbrëmë.

    Në një konferencë për media bashkë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Macron tha: “Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”.

    Kjo u përkthye në shqip dhe u raportua gjerësisht se Macron ka marrë një vendim të njëanshëm dhe të prerë për të pezulluar liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës gjithashtu theksoi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar për pezullim vizash./Reporteri.net/

    I humbur në përkthim? Deklarata e Macronit për vizat për Kosovën shkaktoi bujë në tërë rajonin

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!