Janë bërë të ditur emrat e dy zyrtarëve të përfshirë në incidentin me armë që ndodhi të hënën brenda Ministrisë së Ekonomisë, rast të cilin e raportoi Gazeta OnlienReporteri.net.
Bëhet fjalë për Sami Shaqirin, i cili dyshohet se ka kërcënuar me armë eprorin e tij, Dardan Bujupin. Ky i fundit është djali i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj.
Sipas informacioneve të Express, incidentit i kishte paraprirë një mosmarrëveshje rreth një komisioni disiplinor ku bënte pjesë Shaqiri. Bujupi kishte refuzuar të merrte pjesë në komision, me arsyetimin se ishte epror i Shaqirit.
Para incidentit, Shaqiri i kishte kërkuar Bujupit përmes emailit që t’ia plotësonte një formular. Bujupi i ishte përgjigjur se formularin duhej ta plotësonte vetë Shaqiri dhe më pas t’ia sillte për nënshkrim.
Sipas të njëjtave informacione, Shaqiri dyshohet se më pas e ka ndjekur Bujupin deri në tualetin e ministrisë, ku dyshohet se e ka kërcënuar me armë.
Shaqiri dyshohet se është arrestuar pas incidentit.
Arrestimi dhe rrethanat e rastit mbeten për t’u konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Kosovës.