Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajradaj në konferencë për media ka thënë se deklaratat politike të Kryeministrit Kurti nuk i komentojnë, por që Prokuroria Speciale e Kosovës e ka mbështetjen e plotë të KPK-së pasi “të gjithë janë të barabartë para ligjit”.
Ai tha se kryeprokurori Blerim Isufaj në konferencën për media do të përgjigjet më në detaje.
“Sa i përket deklaratave të kryeministrit nuk i komentojmë deklaratat politike. Mund të them se kemi reaguar shpesh nga sulmet që janë bërë me deklarata politike, nuk kam çka të shtoj, jeni të njoftuar se sot kryeprokurori Isufaj ka konferencë për shtyp. Ai do të përgjigjet më në detaje, mirëpo edhe mund të shtoj, se KPK i jep mbështetjen e plotë Prokurorisë Speciale në zbatimin e mandatit të plotë kushtetues, të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha ndër të tjera ai.
Mbrëmë, kryeministri Albin Kurti tha se Prokuroria e ka bërë me qëllim ftesën e tij për rastin e reservës shtetërore, ndërsa shtoi se “guxoj t’ju them s’po vijë, e të shohim a guxojnë ata të vijnë” tek ai në zyre, ashtu edhe siç ka kërkuar i pari i qeverisë.
“Aty nuk duhet si dëshmitar, ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së. Prokurorët ua kanë mësyrë krejt ministrave tanë. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s’kam privatisht asgjë”, tha dje Kurti.
“Vështirësitë i kemi me kryeprokurorin e Shtetit që në krye është Blerim Isufaj. Fiks para një viti ai doli publikisht e na tha se është hequr urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit, tre muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku. Në krye të KPK-së kemi një kësi lloj njeriu. Prokuroria s’është pjesë e zgjidhjes, është pjesë e problemit. Kupola e saj. Krejt këta prokurorë kanë të drejtë të bëhen kryeprokurorë, por po na thonë o Blerim Isufaj o askush tjetër. Për drejtësinë, nëse bëhet kryeprokuror Blerim Isufaj, largqoftë, ose dikush si ai, atëherë s’ka shpresë për drejtësinë”, ka thënë Kurti.
Madje, Kryeministri i quajti edhe “kërmij” e “lepuj të shpejtë”.
ajo çfarë unë mund të konstatoj është që kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë. Nuk ka aktakuza, nuk ka epilog”, ka thënë Kurti në KTV.
Kurti sulmon Prokurorinë, i quan “kërmij” dhe “lepuj të shpejtë”
/Reporteri.net/