Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) kishte paralajmëruar për sot protestë për dorëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për shkak të deklarimeve të tij për veteranët e UÇK-së, shkruan Reporteri.net.
Protesta e paralajmëruar për sonte në orën 19:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, me kërkesën për shkarkimin e Muratit, është shtyrë.
Natyra Kuqi nga ky subjekt ka bërë të ditur se protesta është shtyrë pas kërkim faljes nga Ministri Murati rreth deklaratave të tij për UÇK-në.
“Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë.
Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja.
Në këtë rrethanë, ne duhet që protestën ta shtyjmë për një moment të dytë. Ditëve në vijim do të njoftoheni për aktivitetet e radhës”, ka njoftuar ajo.
Ministri i Financave, Hekuran Murati javën e kaluar kërkoi falje, për deklaratat që kishte bërë për UÇK-në.
Murati tha se postimet e tij të viteve më parë kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe kanë bërë fryrjen e listave për përfitime financiare e politike.