×
  • Lajme
  • Lajme / Bisedimet në Bruksel

    Deklarohet Borrell: Fatkeqësisht palët nuk ishin të gatshme të pajtoheshin, secila vuri parakushte që s’i pranonte pala tjetër

    Reporteri
    26 Tetor 2023 | 22:27

    Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia nuk ishin të gatshme të avanconin tutje në arritjen e një dakordimi për normalizim të raporteve. Ai ka thënë se është i shqetësuar nga ngërçi në dialog.

    Siç deklaroi Borrell, pas takimeve në Bruksel, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër, transmeton Reporteri.net.

    “Jemi shumë të shqetësuar nga ngërçi i procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sulmet e fundit terroriste që i kemi dënuar sërish në takimin që kemi pasur sot veçmas me kryeministrin Kurti, së bashku me presidentin Macron, kancelarin Scholz dhe kryeministren Meloni, dhe më pas me presidentin Vuçiq, për të diskutuar situatën, për të sqaruar edhe një herë se e vetmja rrugë përpara është dialogu”.

    “Ekziston një pengesë e madhe që është themelimi i Asociacionit dhe për t’i ndihmuar palët të arrijnë një marrëveshje, ne të gjithë së bashku paraqitëm një propozim serioz dhe të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit dhe këmbëngulëm që palët të shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte një rast i madh për rrugën përpara në procesin e normalizimit të raporteve dhe për të shmangur dhunën”.

    Borrell ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog pasi tha se kjo është mënyra e vetme për të avancuar tutje në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    “Fatkeqësisht, palët nuk ishin të gatshme të pajtoheshin për këtë, për disa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkojmë nga palët që të angazhohen seriozisht në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë që ato të avancojnë në rrugën evropiane. Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje, por sot fatkeqësisht nuk ka qenë e mundur pa parakushte nga secila palë që ishin të papranueshme për tjetrën”, deklaroi Borrell.

    Njëjtë si në komunikatën e Qeverisë së Kosovës, tashmë edhe vetë kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia refuzoi ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë sonte, gjatë bisedimeve në Bruksel. Ai tha se Kosova, në anën tjetër, ishte e gatshme ta nënshkruajë Marrëveshjen, Aneksin, si dhe draft-statutin për Asociacionin, që iu prezantua Qeverisë me 21 tetor.

    Kryeministri Kurti ka thënë se për Kosovën, primare mbetet siguria në veri, si dhe sanksionimi i Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë.

    “Theksova se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, siguria e Kosovës është parësore, siç është edhe mbajtja e Serbisë përgjegjëse. Kosova ka pranuar/miratuar Marrëveshjen Bazë dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin e 21 tetorit”.

    Sipas Kurtit, “pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”

    “Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të Marrëveshjes Bazë, Aneksin dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin.”

    Kurti, pas diskutimeve në Bruksel: Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin

    Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe as pavarësinë e saj”.

    Mirëpo, ai tha se janë të gatshëm ta pranojnë “atë që është dakorduar”, transmeton Reporteri.net.

    “Gjatë bisedimeve në Bruksel kemi biseduar për të gjitha temat dhe marrëveshjet, kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës, por se jemi të gatshëm të përmbushim atë që është marrë vesh, letra e 21 tetorit është një e mirë. bazë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen”, ka thënë ai pas takimeve. /Reporteri.net/.

    Vuçiq deklarohet pas takimit me liderët evropianë: Nuk mund ta pranoj anëtarësimin e Kosovës në OKB e as pavarësinë e saj

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!