Një video po qarkullon në rrjete sociale ku shihet një person i cili tenton të arratiset e që dyshohet se është i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares M.O në Ferizaj, Dardan Krivaqa.
Nga Policia kanë deklarauar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se pas publikimit të kësaj video, e cila sipas tyre është bërë të hënën, ka kërkuar për të dyshuarin në të gjithë zonën, shkruan Reporteri.net.
Banorët e lagjes ku dyshohet se u vra 18-vjeçarja në Ferizaj, e kanë telefonuar mbrëmë policinë rreth orës 20:30 minuta, duke thënë se e kanë parë të dyshuarin Dardan Krivaqa të ulur shkallëve të oborrit të kësaj lagjeje.
Policia ka shkuar me patrulla dhe njësitë e shtuara, por raportohet se ai kishte arritur të ikte.
Rasti i rëndë ndodhi të dielën në Ferizaj, ku një 18-vjeçare është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Ferizajt.
Dy persona të dyshuar, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, pasi kanë sjellë në spital viktimën, janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Njëri nga të dyshuarit, Arbër Sejdiu, është arrestuar dje.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari ka thënë përmes një konference për media se shumë shpejt pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.
Në kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që quan në vrasjen e tashmë të ndjerës, 18-vjeçare M.O., thuhet se një natë më parë, dhuna kishte filluar ndaj viktimës. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim. Aty thuhet tutje se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.
Sipas prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.S. por i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim. /Reporteri.net