Delegacioni i Serbisë për dialogun raportohet se tashmë kanë nisur takimin me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak.
Kështu raporton Televizioni Publik i Serbisë. Delegacioni serb do të udhëhiqet nga kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.
Sipas raportimit takimi me delegacionin serb ka nisur pas orës 10:00.
Ky rund i ri i dialogut është bërë me ftesë të emisarit sllovak, Miroslav Lajçak, e ku temë diskutimi do të jetë çështja e dinarit dhe Rregullorja e re e BQK-së.
Kryenegociatori Besnik Bislimi në fillim kishte thënë se Kosova s’do të marrë pjesë në takim, duke akuzuar emisarin sllovak se s’është konsultuar paraprakisht për t’u dakorduar rreth takimit.
Kosova pritet të përfaqësohet nga zyrtar të BQK-së.
Nga Banka Qendrore e Kosovës kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme për gazetën online Reporteri.net se do të marrin pjesë në takimin e së martës, 27 shkurt, në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe lidhur me rregulloren e BQK-së lidhur me ndalimin e dinarit.
Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë.
BQK-ja tha për gazetën online Reporteri.net se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Reporterin.
Sot takimi për dinarin në Bruksel, Kosova përfaqësohet nga zyrtarë të BQK-së