×
  • Lajme
  • Lajme / Nesër seanca

    Deliu-Kodra e PDK-së: VV-ja po e barrikadon konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    26 Prill 2025 | 18:04

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka folur për vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendi të Kosovës, të dielën.

    Ajo ka deklaruar se shkak është Lëvizja Vetëvendosje pasi si ka votat e mjaftueshme për votimin e zgjedhjes së kryetarit apo kryetares të Kuvendit të Kosovës.

    “Nesër është përpjekja e shtatë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për t’i hapur rrugë konstituimit të parlamentit. Partia fituese jam e bindur se edhe nesër do ta ketë emrin e njëjtë të propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës, që do të ketë votimin e saj të pestë, e them këtë në bazë të deklaratave të eksponentëve partiak të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë thënë se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimeve të tyre në raport me nominimin që e kanë bërë për Z. Haxhiu”.

    “Nuk shoh që do të kemi rrugëdalje nga kjo bllokadë që është futur Kosova që nga periudha e pas zgjedhjeve, më konkretisht nga 15 prilli, kur Kuvendi ka hapur rrugë për të filluar konstituimit të organeve të Kuvendit, dhe pastaj me theks të veçantë edhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”.

    “Një gjë që duhet thuhet se ka një bllokadë që bëhet nga partia që ka dalë me numrin më të madh të votave në zgjedhje, dhe është një pamundësi e partisë fituese që t’i ketë votat e deputetëve, janë 57 vota të deputetëve të cilët votojnë në favor të Haxhiut tash e katër herë në Kuvendin e Kosovës, nuk ka asnjë lëvizje të re për të bëjë përpjekje të paktën të kemi tejkalim të kësaj situate, por kemi një barikadim të koalicionit fitues për shkak të pamundësisë që t’i kenë numrat për të vazhduar tutje”, ka thënë Deliu në Klan Kosova.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pohuar se nuk frikësohen nga mbajtja edhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, nëse nuk arrin të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendi të Kosovës, brenda afateve kohore që janë të parapara me ligj.

    “As që i frikësohemi zgjedhjeve as që e kemi hallin e zgjedhjeve, fundja qytetarët e Kosovës kanë votuar me votat e tyre një parti, duke i dhënë besim me numër më të madh të votave për të qeverisur me vendin. Këtë bllokim të qeverisjes, këtë marrje peng të institucionit më të lartë në vend po e shohim tash e sa kohë. Ora demokratike, ora fillon në kohën kur të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, kur zgjedhen organet e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Deliu-Kodra.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!