×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca plenare

    Deliu-Kodra: Është shqetësuese që Skenderaj u përjashtua nga Këshilli për organizimin e Epopesë së UÇK-së

    Reporteri
    07 Mars 2024 | 12:22

    Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu – Kodra, ka thënë se është shqetësuese që Komuna e Skenderajt u përjashtua nga Këshilli organizativ për organizmin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    “Meqë jemi në kuadër të ditës së fundit të epopesë shpreh shqetësimin për këshillin organizativ, i cili edhe kësaj radhe dëshmoi që më tepër është i interesuar për hakmarrje ndaj një rajoni sesa për të unifikuar e për të përçuar mesazhin e solidaritetit e sakrificës së atyre që kanë rënë për këtë ditë të rëndësishme”, ka theksuar Deliu-Kodra, në deklarimet jashtë rendit të ditës.

    Tutje ajo ka thënë se kjo është e pafalashme.

    “Është e pafalshme që janë përjashtuar Komuna e Skenderajt nga Këshilli organizativ i udhëhequr nga Qeveria dhe shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ajo.

    Nuk u përfshi në organizimin e Epopesë, reagon komuna e Skenderajt

    Komuna e Skenderajt pati reaguar pas mospërfshirjes në organizimit e festimit e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Me keqardhje njoftojmë qytetarët dhe opinionin publik se është hera e parë që Komuna e Skenderajt përjashtohet nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbahet me 5, 6 dhe 7 Mars, me aktivitete të ndryshme në Prekaz dhe në qytetin e Skenderajt, pra në territorin administrativ të komunës së Skenderajt. Komuna e Skenderajt gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të Epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara, duke treguar bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha qeveritë qendrore nën patronatin e të cilave organizohet ky shënim”, thuhej në reagimin e tyre para disa ditësh./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!