×
  • Lajme
  • Lajme

    Demantohet Shpend Ahmeti: E moshuara serbe u varros me ceremoni ortodokse nga prifti Arsiq

    Reporteri
    12 Dhjetor 2020 | 23:00

    Varrimi i një qytetareje të moshuar të nacionalitetit serb është kthyer në lojë “ping-pongu” mes institucioneve në Kosovë. Pak pasi kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u deklarua bashkë me Bashkësinë Islame të Kosovës, se kanë organizuar varrimin e një gruaje serbe që kishte vdekur në Shtëpinë e Pleqve, është mësuar se ceremonia është kryer sipas riteve ortodokse nga prifti Stanisha Arsiq.


    Rreth orës 18 e 30, kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, përmes Facebookut njoftoi se si komunë, bashkë me Bashkësinë Islame organizuan varrimin e qytetares që nuk e kishte pasur askënd. Teksa falënderonte BIK-un, Ahmeti përfundoi njoftimin me fjalët se “humaniteti-njerzillaku është më i rëndësishmi”.

    “Sot ka ndërruar jetë një qytetare e moshuar e nacionalitetit serb në Shtëpinë e Pleqve. Ishte vetë dhe nuk paska pas askënd. Për arsye të pasqaruara, nuk kishte askush për ta varrosur përfshi edhe institucionet fetare të cilave i përkiste. Se bashku me Bashkësinë Islame organizuam varrimin. Dua që publikisht ta falënderoj Bashkësinë Islame për gjithë organizimin. Në fund humaniteti – njerzillaku është më i rëndësishmi”, kishte shkruar Ahmeti.

    Pak orë më pas, Bashkësia Islame, po ashtu përmes Facebookut, njoftoi se “BIK-u në bashkëpunim me Komunën organizoi komplet ceremoninë e varrimit, duke dëshmuar edhe njëherë se harmonia dhe toleranca janë virtyte të popullit shqiptar”.

    Fillimisht kjo u demantua nga një portal i Graçanicës që me fotografi e video raportoi se ceremonia e varrimit ishte kryer sipas riteve ortodokse nga një prift, nën organizimin e një asamblisteje të kësaj komune. Në fund “Graçanicaonline” shkroi se njoftimi publik i Ahmetit nuk ishte i vërtetë.

    Pas kësaj, vetë zyrtarë të BIK-ut kanë pranuar se kjo bashkësi ka kryer ceremoninë e bartjes dhe të sigurimit të arkivolit, ndërsa ka qenë prifti ortodoks që ka kryer ritet fetare.

    “Bashkësia Islame e Kosovës njoftohet pasi të vdes ndonjë banues në Shtëpinë e Pleqve. Ne si BIK jemi njoftuar për vdekjen e gruas dhe kur e kemi kuptuar se e moshuara është e komunitetit serb, na është kërkuar që të sigurojmë transportin dhe një arkivol. Komuna e Prishtinës ka njoftuar OSBE-në ku më pas është njoftuar Graçanica dhe është ftuar edhe prifti ortodoks. Ne si BIK e kemi bërë transportin ndërsa ceremonitë e tjera i ka kryer prifti”, i ka thënë KOHËS zëvendëskryeimami i Prishtinës, Idriz Xhigoli.

    Ndërsa në një përgjigje të mëpasme, Ahmeti ka konfirmuar se “BIK-u ka kryer krejt çka u është kërkuar”. Ai thënë se postimi i parë kishte qenë “ide për të falënderuar BIK-un”.

    “Me rëndesi për neve, qytetarja është varrosur. Nuk është kjo kredit për askënd. Thjeshtë përgjegjësi. As nuk është garë. Shtëpia e Pleqve e ka thirrur BIK-un dhe ata neve, pastaj ne e kemi thirrur Komunën e Graçanicës. Ka ndihmuar edhe OSBE-ja. BIK-u e ka dërguar arkivolin, e kanë transportuar deri te varrezat ortodokse bashkë me kryqin. Kanë bërë krejt çka u është kërkuar. Ideja ka qenë me e falënderu Bashkësinë Islame që nuk janë marrë me elemente fetare dhe gjëra të tilla, por vetëm kanë ndihmuar. Për t’u aplauduar”, ka thënë Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!