×
  • Lajme
  • Lajme

    Dënohet drejtori i ambulancës veterinare për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Reporteri
    25 Qershor 2019 | 13:42

    Me tre mijë euro gjobë, është dënuar drejtori i ambulancës veterinare “G-VET”, Gani Ibraj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.


    Aktgjykimi ndaj tij është shpallur, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën e ka aprovuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë të lidhur në mes të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të akuzuarit Ibraj, dhe mbrojtësit të tij, avokatit Prek Kola.

    Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, fillimisht kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu të akuzuarin Ibraj e ka dënuar me gjashtë muaj burgim, por që ky dënim do të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 3000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas gjykatësit Pozhegu, i akuzuari Ibraj është i obliguar që gjobën ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimit.

    I akuzuari Ibraj është obliguar që edhe të dëmtuarës, përkatësisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës t’ia kompensojë shumën prej 2210.40 euro.

    Ndryshe, në fillim të seancës prokurori Ali Uka, i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë.

    “Unë si prokuror i çështjes, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij jemi pajtuar që dënimi i cili do t’i shqiptohet nga ana e Gjykatës, këtu të akuzuarit Gani Ibraj dhe atë për veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare, të jetë me dënim burgimi prej gjashtë muajsh, i cili do të zëvendësohet në dënim me të holla prej 2500 deri 3000 euro, si dhe të obligohet që të dëmtuarës t’ia kompensojë shumën prej 2210.40 euro”, ka deklaruar prokurori Uka.

    I akuzuari Ibraj, ka thënë se marrëveshja mbi pranimin e fajësisë është lidhur me vullnetin e tij të plotë.

    Mbrojtësi i te akuzuarit, avokati Prek Kola ka deklaruar se mbetet pranë marrëveshjes lidhur me dënimin, i cili është paraparë me këtë marrëveshje dhe Gjykatës i ka propozuar që me rastin e shqiptimit të këtij dënimi, të ketë parasysh si rrethanë lehtësuese, pranimin e fajësisë të të mbrojturit të tij, pendimin e thellë, se i njëjti është mbajtës i vetëm i familjes dhe premtimin se nuk do të përsëris veprime të tilla.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2019, i pandehuri Gani Ibraj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke qenë në pozitën e drejtorit të ambulancës veterinare NSH”G-VET”.

    Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që me rastin e matrikulimit të viçave të rinj për vitin 2018 për fshatrat Meje, Jahoc, Sheremetaj, Botush, Hereq, Dujakë dhe Planqor në sistemin AUV-it ka raportuar se ka kryer matrikulimin e 1.042 krerë viça të rinj, gjersa gjendja reale në terren është vërtetuar se ka bërë matrikulimin e 121 krerë viça, e që ka mospërputhje për 921 viça, e që realisht janë verifikuar gjithsej 115 fermer, ashtu që me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, rreth 2.210.40 euro, ku sipas drejtorit të AUV-it një matrikulë ka kushtuar 0.60 euro, ndërsa për një matrikulim ka kushtuar 1.80 euro.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!