×
  • Lajme
  • Lajme

    Dënohet me 15 mijë euro gjobë ish-drejtori i Urbanizmit në Drenas i akuzuar për korrupsion

    Reporteri
    27 Mars 2023 | 11:01

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 mijë euro gjobë Idriz Hysenaj, ish-drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Drenasit, lidhur me akuzën për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Aktgjykimi ndaj Hysenaj është shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla, raporton “ Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht i akuzuari Hysenaj u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e tij dhe mbrojtësit, avokatit Tahir Rrecaj, gjykatësi Syla, dënimin me burg ia zëvendësoi me 15 mijë euro gjobë.

    I akuzuari është obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë shumën prej 200 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

    Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

    Pala e pakënaqur, ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes ë kopjes së këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Idriz Hysenaj në mes të periudhës kohore nga viti 2014 e deri më 15 tetor 2019, në vazhdimësi, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.

    Në aktakuzë thuhet se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, fillimisht asamblist i Kuvendit Komunal në Drenasit e pastaj drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij, ua kishte dhënë me qira në shuma të ndryshme gjashtë banesa në kate të ndryshme personave N.K, B.O, D.H, L.B, J.R, M.S, të cilat kanë qenë pronë e komunës në fjalë.

    Sipas aktit akuzues, në disa raste u kishte dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit personave të caktuar nga të cilët kishte marrë tokën për ndërtimin e banesave, apo prej qytetarëve që kishin blerë banesë nga ana e firmës së tij “Kulla Com”, deri në përfundim të banesave.

    Në këtë mënyrë, në aktakuzë thuhet se Kuvendit Komunal në Drenas i kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa vetes dhe kompanisë së tij i kishte sjellë dobi të kundërligjshme pasurore.

    Me këtë, Hysenaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!