×
  • Lajme
  • Lajme / Prokuroria

    Denoncoi rrejshëm se u dhunua seksualisht nga dy persona dhe iu grabitën stolitë e arit, ndalohet gruaja në Gjilan

    Reporteri
    30 Maj 2024 | 10:16

    Një grua është arrestuar sot në Gjilan, pasi e njëjta dyshohet se ka denoncuar rrejshëm se ka qenë viktimë e dhunës seksuale dhe grabitjes, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se pas veprimeve hetimore për ndriçimin e rrethanave të rastit, ka rezultuar se e dyshuara ka dhënë dëshmi të rrejshme para organeve të hetuesisë.

    E dyshuara e lartshënuar më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe e njëjta do të hetohet në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!