Dy deputetët gjermanë, Peter Beyer dhe Christian Shmidt, gjatë vizitës në Kosovë takuan ekskluzivisht vetëm udhëheqësit e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por jo edhe ndonjë lider institucional në vend, edhe pse këta të fundit ishin të interesuar të takoheshin.
Këtë e ka konfirmuar vetë në konferencë për media deputeti gjerman Christian Shmidt. Ai ka thënë se kishte interesim për takim me ta kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, por nuk u ka premtuar koha për këtë.
Ai ka thënë se ka qenë agjenda e ngjeshur e tyre, që mos t’i përgjigjen pozitivisht interesimit për takim të Haradinajt.
“Sa i përket takimeve tjera, kemi të bëjmë me agjendën tonë të ngjeshur, dhe për këtë nuk takuam edhe kryeministrin në detyrë, zotin Ramush Haradinaj, i cili po ashtu ishte i interesuar për vizitën tonë”, ka thënë Shmidt.
Ata kanë takuar liderin e VV’së, Albin Kurtin dhe atë të LDK’së Isa Mustafa, të cilëve u kanë kërkuar që sa më shpejtë të arrijnë marrëveshje për koalicion.
Edhe pse këta përfaqësues të kancelares Merkel, llogaritet të kenë afërsi me LDK’në, edhe për faktin partitë e tyre bëjnë pjesë bashkë në Partitë Popullore Europiane, kësaj here nuk duket se mbështetën shumë partinë e Mustafës. Ata në konferencën e tyre për media, thanë se palët duhet të merren vesh për qeverinë, dhe jo për Presidentin, pasi ende nuk është koha e zgjedhjes së tij. /reporteri.net