×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetët kërkojnë rezolutë nga Kuvendi që ndalon kazinotë për 10 vjet

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 17:29

    Autor: Blendi Gashi


    Deputetët e LDK-së, PDK-së, VV-së dhe PSD-së kanë mbledhur nënshkrimet për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit në Kosovë. Në mbledhjen e nënshkrimeve për seancën në fjalë mungojnë nënshkrimet e deputetëve të AAK-së dhe Nismës. Nga kjo seancë e thirrur, deputetët duan që të nxjerrin një rezolutë që ndalon për 10 vite kazinotë në Kosovë, shkruan Reporteri.net. 


    Arsyetimi i kërkesës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për kazinotë, nga partitë nënshkruese lidhet me ngjarjet e fundit ku humbën jetën dy punonjës të kazinove, një në Suharekë dhe tjetri në Lipjan.

    Ngjarjet tragjike të javës së fundit, ku në ambiente të kazinonve-lojërave të fatit mbetën të vdekur dy të rinj, duket qartë se nuk janë raste të izoluara. Ekziston rreziku që ngjarje të tilla të shndërrohen në fenomen. Mbrojtja e qytetarëve, ofrimi i sigurisë dhe ambientit të qetë janë përgjegjësi të shtetit të Kosovës. Është bërë e qartë, fatkeqësisht në mënyrë tragjike, se kazinot dhe lojërat e fatit janë ambiente ku dëmtohen edhe vriten qytetarët. Prandaj është detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojnë me urgjencë këtë fenomen përmes seancës së jashtëzakonshme. Mosveprimi i institucioneve përkatëse shtetërore në këtë moment do ta vështirësoj adresimin e këtij problem më vonë”, thuhet në arsyetimin e kërkesës së deputetëve nënshkrues për mbajtjen e seancës, të siguruar nga Reporteri.net.

    Më tej në kërkesë thuhet se: “Vlerësojmë se është e nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të shpreh qëndrimin e vet lidhur me këto ngjarje dhe të kërkojë nga Qeveria që menjëherë të pezullojë aktivitetet e kazinove dhe lojërave të fatit, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Bazuar në ato që u thane më lart dhe duke pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e kësaj çështjeje, kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme me datën e cekur më lartë në fillim të kësaj kërkese”.

    Në fund të debatit, do të kërkohet që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.

    Reporteri.net sjellë përmbajtjen e rezolutës: 

    REZOLUTË:

    1. Qeveria të pezullojë menjëherë aktivitetin e të gjitha kazinove dhe lojërave të fatit deir në plotësimin dhe ndryshimin e ligjit përkatës;

    2. Kuvendi të mandatojë Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa që të nisë procedurat për nxjerrjen e ligjit të ri që i ndalon të gjitha llojet e kazinove dhe lojërave të fatit për një periudhë dhjetë vjeçare.

    Këto nënshkrime janë mbledhur nga grupi parlamentar i LDK-së, si iniciues i kësaj seance, derisa janë nënshkruar edhe nga një pjesë e deputetëve të PDK, VV e PSD. Vetëm ata të AAK e NISMA-s nuk kanë dhënë firmën e tyre.

    Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka njoftuar se pasi ka pranuar këtë kërkesë, seanca e jashtëzakonshme për çështjen e kazinove do të mbahet nesër.

    Paraprakisht nga ora 11:00, do të mblidhet kryesia për ta thirrur seancën në fjalë, shkruan Reporteri.net.

    “Të premten, më 22. 03. 2019, do të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shqyrtuar kërkesën e 49 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme. Koha: 10:30. Vendi: Salla C-301. Deputetët nënshkrues kanë kërkuar që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!