×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti i LDK-së i reagon Haradinajt: Për dy vjet humbe 24 mijë vende të punës

    Reporteri
    20 Qershor 2019 | 16:48

    Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministrit Ramush Haradinaj për statistikat që i nxorri në Facebook ku tha se shkalla e papunësisë është ulur.


    Abdixhiku pohon të kundërtën duke thënë se për dy vjet qeverisje PAN ka humbur 24 mijë vende të punës, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i plotë:

    “Jo Kryeministër!

    S’ka lajm të mirë në numrat e papunësisë

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shtator të vitit 2017, ditën kur ju nisët punën në Qeverinë PAN, në Kosovë punonin plot 365 mijë qytetarë. Sot, pas dy viteve qeverisje PAN, sipas të njëjtës Agjenci, të punësuar janë vetëm 341 mijë kosovarë.

    Pra plot 24,000 vende pune më pak për dy vjet qeverisje PAN. Dy vjet politika nepotike partiake e shpërdorim parashë pa masë japin veçse një përfundim; për çdo ditë të PAN-it në pushtet, nga 36 vende pune humben në ditë – secilën ditë”, shkruan Abdixhiku, transmeton Gazeta Express.

    Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e papunësisë në Kosovë është ulur në 26.9% për periudhën Janar-Mars 2019 në krahasim me periudhën Tetor-Dhjetor 2018 që ishte 31.6%.

    Sipas Haradinajt këto statistika tregojnë që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare.

    “Nga 57.3 % të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6 për qind” ka shkruar Haradinaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!