×
  • Lajme
  • Lajme
    INSTANT

    Deputeti i LDK-së: Nuk pranojmë që ndaj nesh të drejtohet gishti për bllokadë, VV nuk ka numra

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 9:30

    Alban Zogaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Vetëvendosja nuk i ka numrat dhe se kjo është çështja – dhe se rrjedhimisht “nuk e pranojmë” që LDK-së t’i drejtohet gishti për bllokadë.

    “Ne kemi ardhur në një fakt të ri ku kjo qeveri ka dhënë dorëheqje publikisht dhe me fakte dhe tani po e shkelin ligjin dhe për këtë jemi duke i përgatitur paditë. Ne e kemi ditur edhe në ditën kur do të votohej për raport të mandateve se është çështje e numrave, se nuk i kanë, dolën vetëm 52 e më pas për kryetare të Kuvendit u bënë 57”, u shpreh ai.

    “Ne po e shohim se Nisma në Kuvend e ka një votë ndryshe me partitë tjera. Nisma ka abstenuar vazhdimisht. Kjo është votë e ndryshme. As për, as kundër. Nuk e di çka nënkupton kjo, s’mund të deklaroj për Nismën por fakti që po votojnë më ndryshe mund të nënkuptojë një derë për diskutime. Ne nuk kemi hidhërime me askënd, as nuk deklarohemi për asnjërën parti, vetëm për partinë tonë, por duam korrektësi dhe nuk pranojmë që ndaj LDK-së të drejtohet gishti për bllokadë. Jemi parti e pozicionuar me 20 deputetë në Kuvend dhe japim përgjegjësi për qëndrimet tona”, tha Zogaj për Blic.

    Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadë, të martën tentativa e tetë për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 12:51

    Të dielën dështoi për herë të shtatë tentativa për konstituimin e Kuvendit. Propozimi i Vetëvendosjes për zgjedhjen e Kryeparlamentarit as sot nuk mori votat e mjaftueshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ani pse ishte kërkuar që të ndryshohej kandidati, VV-ja edhe sot propozoi Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit të Kosovës.

    Haxhiu arriti të merrte veç 57 vota pro saj, gjë që pamundësoi zgjedhjen e saj në krye të këtij institucioni.

    41 vota kishte kundër, dhe tri abstenime, derisa në sallë ishin të pranishëm 109 deputetë.

    VV-ja po akuzon partitë tjera për bllokadë të qëllimshme të Kuvendit, ku ngjashëm po deklarohen edhe PDK, LDK dhe AAK për partinë e parë.

    Hekuran Murati tha se ata që po votojnë kundër po e krijojnë këtë bllokadë, ndërsa për VV-në ai tha se është në rregull derisa deputetët e saj po votojnë pro. I pyetur për një ndryshim të mundshëm të emrit të propozuar, ai tha se Albulena Haxhiu do vazhdojë të jetë emri i propozuar në çdo votim të radhës.

    Memli Krasniqi i PDK-së tha se VV-ja me zor po duan ta bëjnë Haxhiun Kryeparlamentare, ndërsa ka kërkuar që ta ndryshojnë kandidatin e tyre. Ai madje shtoi se PDK është e gatshme edhe për zgjedhje të reja.

    Lumir Abdixhiku i LDK-së pas dështimit të seancës së sotme, tha se është VV-ja ajo që duhet të bëjë zgjidhje për sitatën, ndërsa deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami theksoi se LDK-ja s’ka votë as për Haxhiun e as për ndonjë kandidat tjetër.

    Nga AAK-ja kanë thënë se VV-ja qëllimshëm po e bën gjithë këtë bllokadë. Sipas Time Kadrijajt, VV-ja po vazhdon të propozojë Albulena Haxhiun, pasi nuk i kanë votat as për të bërë qeverinë.

    Fatmir Limaj nga NISMA bëri thirrje që partitë politike të reflektojnë.

    Pas dështimit të kësaj seance sot, vazhdimi i saj do të jetë pas 48 orësh, më martën e 29 prillit.

    /Reporteri.net/

    Cakolli: Deputetët s’kanë vullnet për të zgjidhur ngërçin, shfaqja teatrale vazhdon me aktorët e njëjtë

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 11:37

    Eugen Cakolli i KDI-së ka reaguar pas dështimit për herë të shtatë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se Kuvendi po tallet me qytetarët, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij, deputetët s’kanë as ngutje e as vullnet për të zgjidhur këtë ngërç.

    Tutje ai shkruan se shfaqja teatrale vazhdon me aktorët e njëjtë dhe rolet e njëjta.

    Postimi i Cakollit:

    Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët.

    Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin.

    Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës.

    Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje.

    Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar.

    “Pse nuk po lëshoni rrugë”, Peci përplaset me gazetarët: A po të dokna unë ty që nuk e kuptoj që i kemi 57 numra?

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 11:35

    Deputeti i VV-së, Faton Peci pas dështimit për herë të shtatë të konsituimit të Kuvendit të Kosovës i ka akuzuar sërish partitë e tjera për bllokim të situatës.

    Peci në një moment është përplasur me gazetarët kur është pyetur se “pse nuk po lëshojnë rrugë, meqë numrat po shihen”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Rrugë prej çkafit me lëshu, numrat të gjithë ne po i shohim dhe i dimë. A po të dokna unë ty që nuk e kuptoj që i kemi 57 numra? Ne e kuptojmë shumë mirë, por po kthehna prapë aty ku  e shoh rrugëzgjidhjen. Qytetari, Kushtetuta  e Kosovës ka thënë se grupit parlamentar më të madh i takon kryekuvendari. Nuk mundet këtë të drejtë që e ka dhënë Kushtetuta e qytetari me e marrë përbrenda partitë opozitare, është e padrejtë”, tha Peci.

    “Çështja e dytë. Kuvendi nuk i takon vetëm shumicës në këtë rast partisë ose koalicionit fitues, se me këtë logjikë do të duhej të gjithë me qenë nënkryetarë, dhe përderisa nënkryetarët u takojnë edhe partive të tjera, është e rëndësishme ta theksojmë se janë 9 deputetë të komuniteteve joshumicë që po i japin përkrahje vullnetit të qytetarëve të dhënë më 9 shkurt. Besoj që e njëjta logjikë duhet të ndiqet edhe nga partitë tjera shqiptare opozitare spse do ti hapte rrugë konstituimit dhe futjes në afate ligjore dhe kushtetuese që Kosvëstë ketë Kuvend dhe Qeveri”, shtoi tutje Peci para mediave.

    Albulena Haxhiu në votimin e pestë sot ka dështuar të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare. Seanca është shtyrë për të martën, në ora 10:00. /Reporteri.net/

    Krasniqi: Nëse VV s’dëshiron të dalë prej bllokadës, jemi të gatshëm që sot të diskutojmë për zgjedhje të reja

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 11:32

    PDK-ja është e gatshme që nga sot të diskutojë për zgjedhje të reja, tha kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

    “Unë tashmë kam diskutuar për këtë çështje. Kam propozuar edhe datën e mundshme. Dhe nëse vërtet Lëvizja Vetëvendosje s’dëshiron me dalë prej bllokadës, atëherë më mirë është me shku në zgjedhje”, tha ai, pasi për herë të shtatë dështoi të konstituohet Kuvendi, meqenëse kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk i mori 61 votat e nevojshme.

    Krasniqi tha se do të ishte në rregull të mblidheshin dhe të diskutonin për këtë çështje, nëse LVV-ja nuk dëshiron ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit.

    “Unë mendoj që sikur të ishin të sinqertë dhe nëse vërtet s’dëshirojnë me e ndryshu, duan ta lënë peng shtetin për shkak të zonjës Haxhiu, mirë kish me qenë me u mbledhë dhe me thënë ‘ok, kur po shkojmë në zgjedhje’. Sepse edhe për të mbërri te zgjedhjet është një procedurë kushtetuese. Duhet me pasë një diskutim, duhet me pasë një proces. Pra, nëse kjo është vërtet zgjidhja e vetme e mundshme, Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme qysh sot të diskutojë për një rrugë të tillë dhe me u dakordu për një datë e cila është sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

    Krasniqi: VV duan me zor ta bëjnë Albulena Haxhiun, nuk kalon

    Dështimi i seancës, Kurti largohet sërish pa thënë asnjë fjalë

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 11:18

    Pas tentativës së shtatë të dështuar për konstituimin e Kuvendit, Kryetari i VV-së, Albin Kurti bashkë me deputetët e tjerë të kësaj partie kanë bërë homazhe tek memoriali për të pagjeturit në shesh, shkruan Reporteri.net.

    Ai edhe sot zgjodhi të mos deklarohej para gazetarëve për dështimin e seancës konstituive.

    Propozimi i VV-së për Albulena Haxhiun Kryeparlamentare nuk mori sërish votat e mjaftueshme.

    Për ishin 57 deputetë, 41 kundër dhe tri abstenime.

    Vazhdimi i seancës do të jetë më 29 prill.

    /Reporteri.net/

    Abdixhiku pas dështimit të seancës: LVV-ja duhet të ofrojë zgjidhje, nuk e di pse nuk po e bëjnë

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 11:16

    Kryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë zgjidhje, pasi me partitë tjera e ka një shumicë minimale.

    “I pari të bëjë zgjidhje si i pari, t’i bëjë votat, e ka edhe një shumicë minimale me partitë tjera, nuk e di pse nuk po e bëjnë”, tha ai shkurt pas dështimit të seancës.

    VV-ja sërish ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparalamnetare, duke bërë që seanca të shtyhet për të martën, pasi kandidatja e tyre mori sërish vetëm 57 vota.

    Kjo ishte përpjekja e shtatë e dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /Reporteri.net/

    Murati: Haxhiu është kandidatja jonë në çdo votim, partitë tjera ta ndryshojnë votën

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:58

    Deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka thënë se deputetët që nuk po votojnë pro zgjedhjes së Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, duhet ta ndryshojnë votën e tyre.

    Murati ka thënë se Haxhiu do të jetë kandidate për kryeparlamentare nga kjo parti në çdo votim të radhës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Procesi i konstituimit të Kuvendit po vazhdon, ne si parti fituese jemi të interesuar për themelim dhe konstituim të institucioneve. Megjithatë përveç votës për nuk kemi çfarë bëjmë. Ata që nuk po votojnë për, duhet ta ndryshojnë votën. Ne kemi parë deputetë të partive opozitare që tashmë janë në mëdyshje se a do të ndryshojnë qëndrim a jo. Shpresoj që deri sot ta kenë marrë atë qëndrim, nga vota kundër të kemi votë për dhe ta kemi mundësinë ta konstituojmë Kuvendin. Ne kemi pa që edhe ato subjekte që kanë ardhë në takime konsultative nuk kanë qenë të interesuar për konsensus. Haxhiu është kandidatja jonë në çdo votim tjetër.

    “Ne megjithatë e pamë një ndryshim, pamë një progres që tek votat kundër pati një rënie. Herën e kaluar kishin qenë 46 vota, kurse sot i patëm 41 vota. Shpresoj dhe uroj në mënyrë që të mos kemi këtë betejën 48 orëshe, shpresoj që këto vota kundër të marrin përgjegjësinë që ua ka dhënë qytetari dhe të mos votojnë kundër konsituimit të Kuvendit”, shtoi ai.

    Albulena Haxhiu në votimin e pestë sot ka dështuar të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare. Seanca është shtyrë për të martën, në ora 10:00. /Reporteri.net/

    Bajrami: Einstein ka thënë “është çmenduri me përsërit veprimin e njëjtë dhe me prit rezultat ndryshe”

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:54

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami referuar Lëvizjes Vetëvendosje për dështimin sërish të zgjedhjes së Albulena Haxhiut Kryeparlamentare ka përdorur një shprehje të fizicientit Albert Einstein, shkruan Reporteri.net.

    Ajo tha se VV-ja një gjë të tillë po e bën për herë të shtatë.

    “VV për herë të shtatë pengoi konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Einstein e ka thënë shumë qartë se është çmenduri me përsërit veprimin e njëjte dhe me prit rezultat ndryshe”, tha ajo pas dështimit të seancës sot.

    Bajrami theksoi se LDK-ja s’ka votë as për Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër.

    “Për LDK mund të them që ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiun e as për kandidat tjetër. Zgjedhjet e kanë treguar qartë që askujt s’i kanë dhënë shumicën absolute për formimin e institucioneve të Kosovës”.

    “Institucionet konstituiohen me marrëveshje politike, dhe siç po e shohim që VV insiston t’i marrë të gjitha institucionet pa e pasur shumicën”, tha ajo.

    “Ska forcë politike që e imponon votën e deputetëve të Kuvendit”, shtoi ajo.

    /Reporteri.net/

    Kadrijaj: VV-ja qëllimshëm s’po e ndryshon kandidatin për Kryeparlamentar, s’i kanë votat as për qeveri

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:45

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se votat e njëjta po përësriten në secilën seancë, dhe se VV-ja po do ta bllokojë situatën në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Ajo tha se VV-ja s’ka bërë asnjë lëvizje, e sipas saj kjo gjë po ndodhë qëllimshëm, pasi siç tha ajo ndoshta një kandidat tjetër që do të mund të propozohej, mund t’i merrte votat.

    “Pamë që nuk ka asnjë angazhim dhe asnjë ndryshim. Këto vota po përsëriten. Kaq vota do të thotë i ka edhe për qeveri. Ai po do ta bllokojë situatën në Kosovë. S’kanë bërë asnjë lëvizje. Po mendoj që këta qëllimshëm po e bëjnë. Ndoshta ka kandidat tjetër që mund t’i kishte marrë”, tha ajo pas dështimit të seancës.

    Sipas Kadrijajt, VV-ja duke parë që për Haxhiun s’po i kanë votat, qëllimshëm s’po ndryshojnë kandidatin, që mos të kalojnë tek zgjedhja e qeverisë, pasi sipas saj sërish s’kanë vota.

    “Këta duke e parë që Haxhiu s’po i ka votat, këta po e bëjnë me qëllim për të bllokuar Kuvendin që mos të kalojmë në fazën e dytë që është zgjedhja e qeverisë”, tha ajo.

    /Reporteri.net/

    Dështimi për herë të shtatë i konstituimit të Kuvendit, Limaj: U pa mjaftueshëm, duhet të reflektohet

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:43

    Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj pas dështimit të përpjekjes së shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se duhet të krijohet shumica parlamentare, dhe të krijohen institucionet.

    Limaj bëri thirrje për reflektim.

    “Një gjë është e qartë, duhet të krijohet shumica parlamentare, që ta krijojë Parlamentin si dhe Qeverinë, shpresoj se është parë mjaftueshëm, dhe do të ketë reflektim”, tha ai.

    Albulena Haxhiu në votimin e pestë sot ka dështuar të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare. Seanca është shtyrë për të martën, në ora 10:00. /Reporteri.net/

    Krasniqi: VV duan me zor ta bëjnë Albulena Haxhiun, nuk kalon

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:37

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se situata që po ndodh në Kuvend është për shkak të tekeve të Lëvizjes Vetëvendosje, për ta “mbajt peng shtetin për shkak të një njeriu”, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se insistimi për Haxhiun Kryeparlamentare po e pamundëson që të lëvizet nga ky pozicion që është Kuvendi, dhe se shtoi se VV-ja se ka shumicën.

    “Insistimi arbitrar për Albulena Haxhiun po e pamundëson te lëvizim nga ky pozicion. Nëse se kanë shumicën smund ta imponojnë vullnetin me zor”.

    “Ftesa ime është ta ndrrojnë kandidaten me një kandidat që e merr shumicën. Është dëmtuese për vendin tonë, qytetarëve presin që ne ti kryjmë detyrat që na kanë ngarkuar dhe jo të vijmë këtu çdo dy ditë të njëjtën fjali nga VV-ja. Dojnë me bo me zor Albulena Haxhiun, nuk kalon”, shtoi ai.

    /Reporteri.net.

    Albulena Haxhiu sërish nuk merr votat për Kryeparlamentare, seanca shtyhet për të martën

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:30

    Ka dështuar sërish zgjedhja e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kjo ishte përpjekja e pestë e VV-së për zgjedhjen e Haxhiut në krye të Kuvendit të Kosovës.

    Në sallë ishin të pranishëm 109 deputetë.

    Për votuan 57, 41 kundër dhe tre abstenime.

    Seanca është shtyrë për 48 orë, të martën.

    Kjo ishte përpjekja e shtatë e dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    /Reporteri.net/

    Kurti sërish, as edhe një fjalë para seancës për zgjedhjen e Kryeparlamentarit

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:17

    Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka arritur në Kuvendin e Kosovës ku pritet të vazhdohet seanca konstituive, shkruan Reporteri.net.

    I rrethuar nga truprojat e tij, Kurti sërish nuk pranoi të deklarohej para gazetarëve.

    Kjo është tentativa e shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Ndërkohë VV-ja ka deklaruar se nuk do të ndryshojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, e që sërish do jetë emri i Albulena Haxhiut.

    /Reporteri.net.

    Haradinaj: Presidentja duhet të përfshihet për t’i dhënë fund ngërçit në Kuvend

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:11

    Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se bllokada në Kuvend nuk mund të shkojë në pafundësi.

    Ai ka thënë se presidentja Osmani duhet të përfshihet duke i mbledhur partitë parlamentare që të gjendet një zgjidhje, sa më parë të jetë e mundur, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Duket që do të jetë shumë shkurtë, sepse do të jetë i njëjti kandidat sepse propozimi i opozitës ka qenë që të ndërrohet kandidati, por i takon pozitës që ti japin zgjidhje.

    Jo nuk e kemi diskutu këtë çështje, por kemi thënë se jemi të gatshëm me dhënë zgjidhje në rast se do të jenë dy emra të tjerë të mazhorancës, u takon atyre sepse duket se kështu duket se do të shkojë në pafundësi. Do të ishte shumë e udhës që presidentja ti ftojë partitë parlamentare dhe të gjindet një zgjidhje, kështu se të gjithë deputetët janë në depresion sepse nuk ka atmosferë pune. Nuk shkohet në pafundësi në këtë formë”, tha Haradinaj para mediave./Reporteri.net.

     

    Gashi: Për keqardhje situata në Kuvend, partitë të bëhen më të përgjegjshme

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:10

    Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka theksuar se situata është për keqardhje me bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Ai pret që të gjitha përtitë të tregohen më të përgjegjshme për të gjetur një zgjidhje.

    “Është tentimi i radhës për me zgjedh. Duket që jemi në një bllokadë. Për keqardhje situata. Pres që të gjitha partitë duke filluar nga VV të bëhen më të përgjgejgshme dhe të gjendet një zgjidhje”, tha Gashi.

    Deputeti i LDK-së tha se s’është kompetencë e Presidentes që të ftohen partitë politike për të zgjidhur këtë bllokadë.

    “Mendoj se Presidentja nuk ka kompetencë, është çështje kryekëput e partive politike”, tha ai.

    /Reporteri.net/

    Elbert Krasniqi nervozohet pak kur e pyesin për mesazhet me katër votat e Listës Serbe

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 10:07

    Ministri në detyrë, Elbert Krasniqi para seancës konstituive ka thënë se ai bashkë me gjashtë deputetët tjerë do ta votojnë propozimin e VV-së për Albulena Haxhiun Kryeparlamentare, shkran Reporteri.net.

    Rreth asaj se a duhet të ndërrohet kandidati, Krasniqi tha se kjo i takon partisë fituese, por që ata janë në rregull me propozimin.

    “E drejta e propozimit i takon partisë fituese, dhe ne si partnerë jemi të gjithë këtu.

    Mund të them që propozimi i takon VV-së, ne jemi në rregull me këtë propozim dhe do ta votojmë” tha ai.

    Krasniqi është pyetur edhe për mesazhet që u kapën nga telefoni i tij pikërisht nga salla e Kuvendit, ku fliste për katër vota të Listës Serbe pro qeverisë, por që shtoi se nuk duan të jenë në një koalicion ku është pjesë Lista Serbe.

    “A e ke parë ti mesazhin, lexoje mesazhin, a e ke lexu mesazhin. Qëllimi mund të jetë prap që ata dëshirojnë të jenë pjesë. Është e kjartë që as VV dhe ne si grup multietnik të jemi në asnjë koalicion ku janë dhe Lista Serbe, pasi është lista ku i prin Radoiçiqi”, tha ai para gazetarëve.

    /Reporteri.net/

    Elbert Krasniqi komunikon me “A.K”, ia përmend katër vota nga Lista Serbe

    Kadrijaj: S’presim asgjë të re, s’e votojmë Haxhiun

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 9:58

    Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se as në seancën e ftuar për të dielën nuk presin të ketë ndonjë ndryshim në propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Megjithatë, ajo ka përsëritur qëndrimin e saj se Albulena Haxhiu nuk do të marrë votat e AAK-së për këtë pozitë.

    “S’po presim asgjë. S’kemi pasur asnjë ftesë. Kjo shumica duhet t’i ketë votat. Kjo klasë politike duhet të angazhohet që të sigurojë shumicën e thjeshtë. Ne s’kemi parë ndonjë angazhim të tillë. S’kemi ndonjë ftesë. S’kemi ndonjë risi. S’dimë a do të ndryshojë kandidati. S’do ta votojmë kandidaten për kryeparlamentare”, ka thënë ajo në hyrje të Kuvendit, në prag të seancës së shtatë për konstituim.

    AAK-ja ka thënë se nëse VV-ja propozon Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin, do t’i votonte për kryeparlamentare.

    Murati: Kandidatja është Albulena Haxhiu, sot dhe në çdo votim tjetër

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 9:55

    Deputeti i VV-së, Hekuran Murati shpreson që deputetët që s’kanë votuar pro zgjedhjes së Albulena Haxhiut Kryeparlamentare, ta ndryshojnë votën e tyre, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se ka nga ata që janë në mëdyshje, ndërsa theksoi se i kanë ftuar për diskutim partitë politike.

    “Duhet ata që nuk votojnë për ta ndryshojnë votën. Kemi parë që tashmë kanë deklaruar që janë në mëdyshje. Shpresoj ta kenë marrë atë qëndrim. I kemi ftu për diskutim”, tha ai.

    Nëse do të ndryshohet emri i kandidatit të VV-së, Murati theksoi se Haxhiu do të jetë sërish propozimi i tyre.

    “Kandidatja jonë është albulena, është gruaja më e votuar, edhe sot edhe çdo votim tjetër”, tha ai.

    /Reporteri.net/

    Faton Peci: Duhet të reflektohet, çdo ditë e humbur është humbje për Kosovën

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 9:52

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka thënë se çdo ditë e humbur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është “humbje kohe për Kosovën”.

    Ai nuk ka treguar se a i kanë numrat sot, duke thënë se gjithçka do të shihet gjatë votimit.

    “Ajo që pritet është procesi i votimit. Shpresoj që të bëhet konstituimi sa më shpejt. Çdo ditë e humbur në drejtim të konstituimit të Kuvendit, është humbje për Kosovën.

    Në funksion të kësaj mendoj se duhet të reflektohet. Ka diskutime të vazhdueshme, të shohim rezultatin. Epilogu i votimit në Kuvend tregon nëse ka apo jo”, ka thënë ai”.

    Kjo është përpjekja e shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /Reporteri.net/

    Krasniqi: Ishalla lëvizë diçka, po shpresoj se e kanë ndërruar kandidatin

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 9:45

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para seancës konstituive ka thënë se shpreson që Lëvizja Vetëvendosje të ketë ndërruar kandidatin për Kryeparlamentare, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se nëse nuk ndërrohet, atëherë VV-ja do ta vazhdojë bllokadën.

    “Ishalla lëviz diçka, ndoshta e kanë ndërruar kandidatin po shpresoj. Përndryshe dojnë me vazhdu bllokadën.

    Se si mund të dilet nga kjo situatë, Krasniqi tha se duhet kandidat tjetër.

    “Po ndonjë kandidat tjetër”, tha ai para gazetarëve.

    Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 8:16

    Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet plotësisht.

    Një tentativë e shtatë në këtë drejtim do të bëhet sot. Kjo do të jetë seanca e shtatë çdo 48 orë, që nga 15 prilli, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nga VV-ja e kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Në katër votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.

    Partitë e tjera, PDK, LDK dhe AAK kanë kërkuar nga Vetëvendosje që të gjejnë një kandidat unifikues për këtë post, ngase siç kanë thënë ata emri i Albulena Hahxiut, për ta është i papranueshëm.

    Vetë Haxhiu të premten pas dështimit të saj të katërt për t’u zgjedhur kryeparalamentare ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

    Haxhiu tha se janë të gatshëm që të flasin me partitë e tjera për datën e zgjedhjeve.

    “Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës, VV-ja tashmë e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, duket se ka mungesë të vullnetit të konstituohet Kuvendi, por ne jemi të gatshëm t’i presim partitë politike, të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu të premten.

    Në këtë situatë është bërë  bërë thirrje që presidentja Osmani të ndërmarrë iniciativë duke mbledhur liderët e partive në një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje.

    Presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.

    Këshilltari për media, Bekim Kupina, tha se Presidentja është e hapur për konsultime me liderët e partive politike në çdo kohë që ata e konsiderojnë të përshtatshme.

    “Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, tha Kupina.

    Seanca  pritet të mbahet në ora 10:00./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!