Deputeti i LDK-së, Ardian Shala, që ishte në dilemë se a do ta votonte apo jo Qeverinë e re, me mandatar për Kryeministër Avdullah Hotin, është pajtuar ta përkrahë në Kuvend formimin e Qeverisë nga partia e tij, bashkë me AAK-në dhe NISMA-n.
Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ burime brenda degës së LDK-së në Suharekë, prej nga vjen deputeti Shala.
Vendimi i Shalës për të mos kundërshtuar vendimet e Këshillit Drejtues të partisë së tij, që LDK-ja ta krijojë Qeverinë e re, ka ardhur pas një mbledhje që ai ka mbajtur sot me degën e kësaj partie në Suharekë, prej nga edhe vjen deputeti në fjalë.
Rrjedhimisht, burimet e Reporteri.net theksojnë se Shala për votën e tij pro Qeverisë LDK-AAK-NISMA ka marrë mbështetjen e degës së LDK-së në Suharekë.
“Unë edhe herën e parë e kam respektuar vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për koalicion me VV-në. Nuk jam për me blloku e me kundërshtu LDK-në, do ta shohim me kohë e do të vendos, pasi është kryeministri i LDK-së”, tha ai sot.
“Është situata konfuze, nuk mundem tani me u përcaktu, do ta analizoj situatën, përbërjen e qeverisë. Jam i papërcaktuar ende”, ka shtuar Shala në bisedën për Reporteri.net, para se të konsultohet me degën e tij.
Nga deputet e LDK-së që duket se vazhdojnë të kundërshtojnë përpjekjen e partisë së tyre për krijimin e Qeverisë së re, gjatë kësaj jave, tashme kundër mbeten vetëm Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi dhe Vjosa Osmani. Kjo e fundit, kryeparlamentare e Kuvendit të Kosovës, e cila u zgjodh sipas marrëveshjes LDK-VV e cila funksionoi vetëm rreth 50 ditë. /Reporteri.net/.