Deputeti i PDK-së del kundër që serbëve në veri t’u paguhet rryma: Ka rritje të konsumit energjetik për 14%

Në komision për ekonomi kanë kaluar propozimet për mbulimin e shpenzimeve për energjinë elektrike të shpenzuar në veri .


Banorët serbë të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në veri jo rrallë thonë se nuk e pranojnë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Mirëpo edhe përkundër kësaj ata e shfrytëzojnë energjinë elektrike e cila shpërndahet nga kompanitë publike të shtetit të Kosovës.

E shpenzimet e energjisë së tyre tash e sa vite i mbulon buxheti i Qeverisë së Kosovës pasi që serbët nuk paguajnë rrymën.

Ndërkaq sërish çështja e pagesës së këtyre shpenzimeve është ngritur në Komisionin për Ekonomi.

Mimoza Kusari Lila ka bërë disa propozime se si duhet kryer këto pagesa, mirëpo ajo nuk ka marrë përkrahje nga të gjithë.

Ferat Shala kryetar i këtij komisioni thotë se nuk duhet të paguhet shuma prej 11 milionë eurosh nga Kosova.

Shala shton se një pagesë e tillë është edhe në dëm të kompanisë publike KOST e cila e bën furnizimin e tërë shtetit të Kosovës me rrymë elektrike.

Mirëpo Pranvera Dobruna eksperte e energjetikës tregon që kjo kompani është e detyruar nga organizata evropiane ENCOI t’i kompensojë të gjitha mungesat financiare.

Ndërkohë Dobruna shton se nuk ka zgjidhje tjetër as për Qeverinë aktuale pasi që vendimet politike ndaj organizatës ENCOI nga Qeveria e Kosovës janë bërë kohë më parë.

Mirëpo Dobruna pagesën që duhet bërë nga KOSTI e quan zgjidhje të përkohshme pasi që zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një rregullatori energjik privat në komunat e veriut.