×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti i VV-së: Aktakuza kundër meje e pabazë, çdo shqiptar duhet të protestojë kundër copëtimit të atdheut

    Reporteri
    15 Shtator 2021 | 21:59

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.


    Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

    Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar dhe të pambështetur në gjendjen reale kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Naser Sopjani.

    Sipas këtij vendimi, gjykata ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.

    Tutje, në vendim thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet esenciale të veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.

    “Pas shikimit me kujdes të shkresave të lëndës gjykata konstatoi se duhet të refuzohet kërkesa për hedhjen e aktakuzës e cekur më lartë, si e pa mbështetur në gjendjen reale dhe në provat e bashkëngjitura, ngase provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i akuzuari i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale, ndërsa provat e propozuara në aktakuzë dhe mbrojtjen e tyre gjykata do t’i vlerësojë në shqyrtimin gjyqësor, për çka kërkesa për hedhjen e aktakuzës është e pabazuar”, thuhet në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

    E në reagimin e tij deputeti i Vetëvendosjes thotë se akuza ndaj tij është e pabazë, ndërkaq theksoi se sa herë të jetë nevoja, secili duhet të protestojë kundër copëtimit të atdheut.

    “Akuza kundër meje eshtë e pabazë. Unë, si deputet, kam protestuar kundër humbjes së 8200 hektarëve të Kosovës.Sa herë që të jetë nevoja, çdo shqiptar duhet të protestojë kundër copëtimit të atdheut tonë.Dëshira e dikujt që të ndalet kandidimi im, nuk do të realizohet. Sepse ka ikur koha kur institucionet vepronin kundërligjshëm, dhe sepse komuna e Ferizajit ka nevojë për energji të reja për zhvillim”.

    Ramadani është edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!