Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka reaguar pas shkarkimit të bordit të KEK-ut nga Qeveria e Kosovës dhe emërimeve të reja në këtë institucion.
Abrashi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se me këtë veprim vazhdon kapja e bordeve nga koalicioni i pushtetit, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, anëtarët e rinj të bordit janë militantë aktivë të partive të pushtetit dhe kritikon që deri më tani nuk ka asnjë reagim.
Ai ka thënë se me këtë vendim të Qeverisë, çdo gjë i kthehet normalitetit të vjetër, ku krimi dhe kapja janë diçka e zakonshme.
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar dy nga katër anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Nga ky bord janë shkarkuar kryesuesi Hysen Fazliu, e drejtori Egzon Berisha.
Fazliu është zëvendësuar nga Musa Misini, kurse Berisha nga Fadil Hoxha.
Musa Misini, ka qenë kandidat i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2014. Ai ishte edhe kryetar i Komunës së Vitisë gjatë periudhës 2002-2007.
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të KEK vazhdojnë të jenë dy anëtarët e emëruar më parë: Petrit Ibraj dhe Fatime Grajqevci.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e ekzekutivit e cila është thirrur për në orën 13:00.
Postimi i plotë i Abrashit:
Vazhdon kapja e bordeve nga koalicioni i pushtetit, kesaj radhe ne KEK. Natyrisht, anetaret e rinj jane militante aktiv te partive te pushtetit. Deri me tani, asnje reagim, pa buje. Heshtje totale. Cdo gje i kthehet normalitetit te vjeter ku krimi dhe kapja jane dicka e zakonshme.
#QeveriaKoti