×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti i VV-së: Qeveria ilegale nuk e ka idenë se çfarë të bëjë me situatën pandemike

    Reporteri
    14 Korrik 2020 | 11:10

    Në Kuvendin e Kosovës ka nisur vazhdimi i seancës lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, e cila kishte nisur dje në orën 16:00.


    Deputeti i VV-së, Shpejtim Bulliqi ka thënë se kjo qeveri e ka humbur toruan dhe nuk e ka idenë se çfarë të bëjë në këtë situatë.

    Bulliqi ka thënë se Hoti është kryeministër që simbolizon dhunimin e sistemit tonë kushtetues.

    “Është kryeministër që simbolizion dhunimin e sistemit tonë kushtetues nga klika që e mbajtën të kapur pushtetin dhe institucionet e thirrura për të dhënë drejtësi”, ka thënë Bulliqi.

    Fjalimi i tij i plotë:

    Fjalimi im sot ne seancën e Kuvendit te Kosovës lidhur me pandeminë COVID-19

    Pasi ishte angazhuar maksimalisht për ta sabotuar e pamundësuar arritjen e koalicionit që e zbatonte drejt leximin e vullnetit të popullit të Kosovës të shprehur më 6 tetor, si benjamin i bindur e i përunjur i Isa Mustafës e Hashim Thaçit, ky kuazikryeministër kishte vazhduar të zbatojë urdhrat e tyre edhe pasi ishte emëruar si zëvendëskryeministër dikur.

    I mësuar tashmë, që gjithë karrierën e tij ta ndërtojë me metodat e të dëgjuarit, ai kryente detyrat e dhëna nga shefat për të penguar, sabotuar e frenuar të gjitha proceset qe shkonin ne drejtim të rivendosjes së ligjshmërisë, që kryeministri Kurti së bashku me pjesën tjetër të Qeverisë, i kishte nisur, megjithëse, nuk ja dilte kurrsesi për shkak se vendosmëria për t’i forcuar themelet e shtetit përmes rikthimit të ligjshmërisë, ishte e pa alternativë në Qeverinë që e kishin votuar qytetarët.

    Ky njeri simbol i dëgjushmërisë, pa qëndrim e pa kurrfarë vizioni, u vetofrua si gjithmonë për t’u vetpërdorur për rrënimin e demokracisë dhe kushtetutshmërisë si kryeministër i një Qeverie, e cila u instalua nga mjetet e metodat e shtetit të kapur.
    Më saktë, është kryeministri që simbolizon dhunimin e sistemit tonë kushtetues nga klikat që e mbajnë të kapur shtetin dhe institucionet e thirrura për të dhënë drejtësi.

    Të gjithëve na kujtohet se si më datën 18 prill 2020, pasi ishte shkarkuar, ky njeri, që është ulur në ulësen e uzurpuar të kryeministrit, deklaronte kështu: “masat për kufizimin e lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshim për shkelje të Kushtetutës”.

    Ndërsa ditën e dielë, kjo Qeveri morri vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në pothuajse gjysmën e territorit të Kosovës. Ndërsa, në mendimin procedural që i ktheu nismës legjislative të inicuar nga kryetarja e Kuvendit, kish nënvizuar se “baza ligjore është e mjaftueshme për marrje të masave kufizuese dhe se e konsideron të panevojshme nxjerrjen e ligjit të veçantë për kufizimin e domosdoshëm në rast të nevojës për të vepruar në parandalimin e përhapjes së virusit”.

    Çfarë ndodhi ndërkohë z. Hoti? A mos u ndryshua Kushtetuta? Apo tashmë jemi duke jetuar në një univers tjetër.
    Kjo flet se sa koti është kjo
    Qeveri dhe vet udhëheqja e sotme e LDK –së, e marrë me qera nga kokat e kapjes së shtetit.
    Derisa shohim këto lëvizje zvarrë që degradojnë në nivelet më neveritëse cdo standard të përgjegjësisë politike, kujtojmë jo pa zhgënjim faktin se LDK –ja dikur paradigmat për shtetin, për institucionin, për Kushtetutën e ligjin dhe për rendin shtetëror në përgjithësi i kuptonte dhe i sëndërtonte me logjikën e Ibrahim Rugovës, ndërsa sot i kupton e sillet me to, sipas logjikës së Hashim Thaçit.

    Përhapja e pa kontrolluar e virusit ndodhi sapo Qeveria Hoti mori detyrën, sepse nuk kishte asnjë ide për hapat e ardhshëm për menaxhimin e krizës me Civid 19, përvec grabitjes së pushtetit nën regjinë e dy baballarëve të tij politikë. I mungonte strategjia dhe dija për ta bërë një gjë të tillë, por mbi të gjitha, i mungonte legjitimiteti e besueshmëria tek populli i Kosovës.

    Si mund të drejtojë vendin një qeveri që nga populli i Kosovës shihet si grabitqare e vullnetit të tij. Si mund të zë vend mesazhi i Qeverisë tek qytetarët, kur ata e ndjejnë veten se pikërisht kjo qeveri ua ka zhvlerësuar votën e besimin e shprehur?
    Natyrisht se përfundim e rezultat tjetër nuk do të kishte, sepse qeveria dhe Populli i Kosovës ndajnë bindje, kërkesa e interesa diametralisht të kundërta.

    Populli kërkon dhe insiston që në Kosovë të ketë zhvillim të gjithëmbarshëm, ndërsa qeveria Hoti ka në fokus ruajtjen e plaçkes së vjedhur nga bandat kapëse të shtetit, të cilat edhe e kanë vënë në detyrë.

    Kosova dhe populli i saj tashmë kanë nisur të përjetojnë dramën e kalvarin e vështirësive shëndetësore pas vetëm një muaj detyre të kësaj kuazi – qeverie.

    Ne e kuptojmë, e gjithë bota është goditur ekonomikisht dhe nga aspekti social e shëndetësor, për shkak të pandemisë me përhapjen e virusit.

    Mirëpo, nëse bota ka sakrifikuar ekonominë duke zgjedhur jetën dhe shëndetin e qytetarëve, tashmë kuazi Qeveria po ja rrezikon Kosovës edhe jetën e shëndetin e njerëzve të saj edhe ekonominë e saj.
    Për shkak se është e kapur dhe në duar të kapësve të vjetër të shtetit, për ardhjen e kësaj qeverie, Kosova sakrifikoi demokracinë, Kushtetutën, Gjykatën Kushtetuese, shumë jetë e shëndet të dëmtuar të qytetarëve, por tashmë edhe ekonominë e stabilitetin e nevojshëm politik për përballje me Serbinë në procesin e dialogut.
    Kosova po përjeton krizë të rëndë shëndetësore dhe ekonomike dhe në krye të punëve ka një kryeministër që nuk ja ka idenë se cfarë hapash të ndërmarrë për të frenuar këtë vërshim të virusit.

    As pas gjithë kësaj kohe kur numri i të infektuarve po rritet eksponencialisht, nuk shohim asnjë ide e plan të tyre se si të aktiviziojnë gjithë potencialin e sistemit tonë shëndetësor dhe të profesionistëve shëndetësor në përballimin e sëmundjeve.

    Qeveria ilegale e ka humbur tërësisht toruan nuk i’a kanë idenë se çfarë duhet bërë në këtë situatë me pandeminë, kjo qeveri po i diskriminon vazhdimisht qytetarët përkundër që shumë qytetarë po kanë simptoma të virusit, ata nuk po arrijnë të testohen e disa të tjerëve ju mundësohet nga disa herë të testohen.

    Mjekët dhe infermierët tanë po infektohen përditë e më shumë për shkak të mjeteve të dobëta mbrojtëse, ndërsa në anën tjetër na flasin për masa të jashtëzakonshme si formë shantazhi ndaj qytetarëve.

    Kështu jemi në situatë kur udhëhiqemi nga një qeveri pa imunitet dhe kundër vullnetit popullor, këtë keqmenaxhim të situatës po e vuajnë qytetarët e vendit. Situata është jashtë kontrolli, veprimet e qeverisë janë veprime ad-hoc pa analizë shkencore dhe nën presion.

    Andaj qytetarë të dashur, ju lutem për kujdes maksimal dhe t’i respektojmë rekomandimet e IKSHPK-së, duke e ruajtur njëri-tjetrin.

    https://www.facebook.com/shpejtim.bulliqi/posts/4551247521613673

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!