×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti kërkon që të pezullohet çdo aktivitet negociator mes Kosovës e Serbisë deri në përfundim të coronavirusit

    Reporteri
    12 Mars 2020 | 23:29

    Në kohën kur e gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka gjetur kohë t’iu shkruaj letër liderëve të Kosovës, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe emisarit special të Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.


    Një letër publike, deputeti Jahja Kokaj, ka vendosur t’ua shkruaj për t’iu kërkuar ndalimin e çdo aktiviteti negociator deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit.

    Madje, Kokaj, këtë letër ua ka shkruar në emër të afërsisht 13 mijë qytetarëve.

    Letra e deputetit Kokaj:

    Letër publike drejtuar:
    Kryeministrit, Presidentit, Kryetarit të LDK-s Isa Mustafa, të gjithë liderëve të partive në Kosovë, Presidentit Vuçiq, Ambasadorit Grenell dhe të gjithë miqve tanë të përhershëm amerikan dhe personaliteteve europiane,

    TË PEZULLOHET ÇDO AKTIVITET NEGOCIATOR DERI NË PËRFUNDIM TË EPIDEMISË SË CORONAVIRUSIT

    Në emër të afërsisht 13.000 qytetarëve të Kosovës, si deputet i popullit, të rezultateve inovative shkencore, në 11 fusha shkencore të botuara në revista prestigjioze, revista amerikane, gjermane, angleze dhe të tjera botërore, duke kontribuar kështu në zhvillimin e mendjes shkencore ndërkombëtare në botë, si bashkëthemelues i Institutit Ndërkombëtar Alb-Shkenca, si fitues i dekoratave dhe çmimeve ndërkombëtare shkencore dhe kombëtare, si pedagog në Universitetet Carnegie-Mellon, SHBA, Kuvajt dhe në Universitetin e Prishtinës (Kosovës), e shkruaj këtë letër:

    Jemi koshient që fillimi i negociatave që paraprihet me ndërprerjen e tarifës 100% dhe udhëzimi i faktorëve përkatës amerikanë është jashtëzakonisht çështje urgjente. Këtë e thotë Presidenti Thaçi, partitë opozitare, Isa Mustafa, kështu që është e vërtetë. Nuk ka rëndësi se kjo urgjencë thuhet se është gjeneruar pikërisht nga Presidenti me aktivitete në vitet e fundit, të cilat le të supozojmë që mund të jenë me qëllime të mira, por në situatën e rëndë botërore epidemike, në të cilën jemi, është e nevojshme që:

    MENJËHERË TË NDËRPRITET ÇDO KOMUNIKIM FIZIK APO PROCES, PËRFSHIRË KËTU, ÇDO MARRËVESHJE APO NDYSHIM LIDHUR ME TARIFËN 100 %, APO NEGOCIATA TJERA ME SERBINË, APO MIQTË TANË, PËRDERISA TË KETË KALUAR RREZIKU VDEKJEPRURËS NGA KORONAVIRUSI (COVID-19).

    Unë e konsideroj këtë epidemi vdekjeprurëse, që ka pushtuar Ballkanin dhe Evropën dhe se çdo person i arsyeshëm ndërpret takimet dhe mbledhjet që mund të jenë burim i përhapjes së infeksionit COVID-19. Ne jemi të vetëdijshëm që virusi tani ka përshkuar Serbinë, por është e sigurt që ai ka hyrë në Kosovë dhe po pret ditë të inkubacionit, që të shfaqet dhe të merr dimensione epidemike.

    Ndaj, duke dëshiruar tejkalim nga sëmundjet masive dhe vdekje të individëve të popullit serb, si dhe të popullit tim, unë mendoj se duhet të ndërpritet për momentin aktiviteti i negociatave ose zgjidhjes së marrëveshjes.

    Në këtë situatë solidariteti reciprok i serbëve dhe shqiptarëve, sikurse me të gjithë njerëzit e globit duhet të shfaqet ku të gjithë duhet të jemi në të njëjtën anë në luftën kundër kësaj pandemie vdekjeprurëse.

    Tarifa ose situata e ngjashme zgjati më shumë se një vit, nuk ishte fatale për jetën e njerëzve, e njëjta mund të ngrihet për momentin, në mënyrë që sa më të përgatitur, të përqendrohemi në situatën pandemike të virusit, ndoshta edhe duke u solidarizuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin, sikurse në rast të krizave apo katastrofave natyrore.

    Edhe pse përqindja e vdekjeve nga virusi supozohet (edhe pse ende nuk dihet), të jetë rreth 4%, në një statistikë të bërë nga SH.B.A. janë hulumtuar 55 infeksione serioze COVID-19, nga të cilat kanë vdekur 15, që konstituon përqindjen rreth 27%. Pra nuk dihet, në këtë zhvillim dinamik apo kaotik, mekanizmi i saktë shkencor i përhapjes së shpejtë të këtij virusi, kështu që shkalla reale e rrezikut nuk dihet. Por, dihet që kjo pandemi vdekjeprurëse kanosë Kosovën dhe Serbinë.

    Prandaj i bëj thirrje titullarëve dhe personaliteteve të lartpërmendura dhe të tjerëve me interes, që krahas ndërprerjes së punës në shkolla, universitete, të tubimeve, kontakteve që zvogëlojnë përhapjen e virusit vdekjeprurës, të ndërpresin ose pezullojnë procesin e negociatave apo përfundimit të marrëveshjeve si dhe verimeve paraprake siç është çështja e tarifës dhe të ngjashme.

    Secili që mendon me urtësi dhe në mënyrë shkencore, e din që nën presionin psikologjik të pandemisë që po pushton Ballkanin, mund të bëhen gabime, në dëm të serbëve ose shqiptarëve, gjatë përfundimit të marrëveshjes përfundimtare.

    I bindur se stuhia epidemike do të përfundojë brenda disa muajve, është koha që të ndërpriten apo pezullohen të gjitha proceset tjera dhe të luftojmë virusin Corona – COVID-19.

    Jam i bindur që pas kalimit të rrezikut të pandemisë, do të gjejmë zgjidhje optimale për të dyja palët, shqiptarët dhe serbët në koordinim me miqtë tanë, amerikan dhe europian.

    Nënshkruesi i letrës

    Prof. Dr. Jahja Kokaj, Astrofizikan/Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!