Një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar sot Ministrin e Financave, Hekuran Muratin. Bëhet fjalë për Fatmir Humollin, i cili para disa muajsh kritikoi edhe Ministrin Faton Peci. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell deklaratat e Humollit për të dy ministrat dhe kritikat që ka dhënë ndaj Qeverisë Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje nuk njihet për figura që dalin dhe e kundërshtojnë Qeverinë Kurti. Është vetëm një prej tyre që njihet për qëndrime të tilla.
Fatmir Humolli, i cili aktualisht është edhe deputet në Lëvizjen Vetëvendosje, se ka problem që të flasë, madje edhe publikisht, kur s’pajtohet me bashkëpartiakët, shkruan Reporteri.net.
Njëjtë ka vepruar edhe sot. Humolli ka kritikuar ashpër Ministrin e Financave, Hekuran Muratin.
Kritikat e Humollit vijnë pas deklaratës së Muratit se duhet pastruar listat e veteranëve për tu rritur vlera e pensionit.
Sipas Humollit, ministri nuk ka të drejtë t’i detyrojë veteranët të pastrojnë listat e tyre.
“Ministri i Financave duhet me mendu shumë më kthjellët. Nuk ka të drejtë me i detyru veteranët me i pastru listat sepse i ka bërë Qeveria. Ministri po don me i ngarku veteranët me këto pengesa, nuk po e kupton që e ka dëmtuar shtetin për 360 milionë euro që i ka lënë paret e Trustit pensional jashtë. Sikur 2 miliardë euro të ishin investuar në Kosovë ishin krijuar 70 mijë vende të punës, ia kishin shtu Trustit të ardhurat dhe kishin pengu që paret tona të qarkullojnë jashtë”, tha Humolli.
Deputeti i VV’së tha se i është krijuar edhe një përshtypje se Murati s’ka ndjenja as për kombin e as për vlerat.
“Por ky ministër po kam përshtypje sikur është teknicist i ftoftë që nuk ka ndjenja as për kombin as për vlerat”, u shpreh Humolli.
Humolli paralajmëroi edhe dorëheqjen nga pozita e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Tha se dorëheqja e tij mund të vij nëse partia ku përket nuk punon në të mirën e qytetarëve.
Ai foli sërish për Ministrin Murati, për të cilin thotë se ka hyrë në konflikt me të gjitha Sindikatat dhe se nëse nuk ndryshon qasje “duhet të shkojë në shtëpi”.
“Unë nuk kam hy në Kuvend për Vetëvendosjen, por për misionin e saj, me kthy besimin në vend tonin. Nëse punohet kundër perspektivës, vazhdon me i ataku gjitha kategoritë siç është duke i atakuar sidomos ministri aktual që me të gjitha Sindikatat hyn në konflikt edhe në Kuvend pa nevojë, atëherë ose duhet ky ministër me shku në shtëpi ose unë nuk mundem me qëndru gjatë në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes. Nëse këta devijojnë prej rrugës, nuk mundem me shku në rrugë të gabuar”, tha ai në në Tëvë 1.
Por, kjo s’është hera e parë që Humolli drejton Kritika ndaj një ministri të Qeverisë Kurti.
Para disa muajsh ai kishte kritikuar Qeverinë dhe në veçanti Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Pecit, shkruan Reporteri.net.
Për Ministrin Peci, Humolli kishte thënë “s’merr vesh në bujqësi”.
“Gjakderdhja financiare që është bë, është duke vazhdu gjakderdhja financiare, Vetëvendosja kena kërku që kena me ndalë këtë. Kam kërku prej qeverisë që me ndal, edhe nuk ka ide se qysh me zhvillu. Unë i kam thanë Albin Kurtit unë hy në listë por me kushtin që duhet me u bë 1 mijë fshatra prodhuese. Me 1 mijë fshatra prodhuese, tash Qeveria e Kosovës nuk vjen me bisedu as nuk kam mundësi me bisedu që është ministri që nuk merr vesh për Bujqësi, nuk e di ai çka ka të kryer, por ai nuk merr vesh për Bujqësi dhe tash çka ke me bisedu me të. I kam thënë duhet me bashkëpunu, kalon pa telashe, sikur t’ishin realizu 1 mijë fshatra prodhuese ne e pam me pandeminë çfarë sikleti patëm për ushqim, u bë siklet që kem telashe se s’ka ushqim, tash lufta në Ukrainë prap siklet te ushqimi, po sikur të ishin bë 1 mijë fshtara prodhuese edhe e kam përllogaritjen e saktë që kostoja është 400 milionë euro…Edhe e kam llogaritë që 400 milionë euro duhet mi dhënë bankat e Kosovës me kreditu bujqt, por interesin me ja pagu shteti. Idenë qysh e kam pas nuk po mundem me realizu në Qeverinë e Kosovës. Atëherë çka?..E kam kërku në Grup Parlamentar mu realizu, nuk ka ide për këtë punë”, kishte deklaruar Humolli.
Këtyre deklaratave të Humollit, u ishte përgjigjur Ministri Peci.
Ai kishte thënë se Humolli asnjëherë nuk e ka kontaktuar për projektin që e synon ta realizojë.
E për deklaratën e tij se “nuk merr vesh në bujqësi”, Peci s’kishte dhënë ndonjë koment.
“Nuk kam naj koment për komentin e tij dhe nuk ka diskutuar asnjëherë nuk e ka shprehur minimumin e interesimit asnjëherë për me diskutu një çështje me mua. Por tash unë nuk mundem me bë vlerësim të asaj se çfarë vlerësimi ka ai për mua, do të thotë secili ka të drejtë me bë vlerësime për të tjerët, por për projekte dhe ide zhvillimore në sektorin e bujqësisë unë asnjëherë se kam pranu një propozim të tillë”, ka deklaruar Peci.
Të njëjtin deputet, kryeministri Albin Kurti e kishte afruar pranë vetes, disa ditë më pas.
Humolli ishte parë bashkë me Kurtin dhe një grup të deputetëve të tjerë, gjatë disa homazheve.
Për deklaratën e tij për “gjakderdhjen financiare”, Humolli ishte pyetur sërish.
Ai kishte thënë se qëndron pranë deklaratës së dhënë, por se kishte thënë se këtë e kishte bërë për të reflektuar Qeveria.
“Po unë kritikën ja kam dhënë me reflektu qeveria, të shohim a do të reflektojnë a jo”, kishte deklaruar Humolli.
Ai ishte pyetur nëse kjo deklaratë ka nxitur pakënaqësi brenda partisë apo kryesisë së saj.
“Kryeministri është duke nxitë për me bë kritika për me shty me punu më mirë”, ishte shprehur ai./Reporteri.net