Nga dita e premte në Kosovë janë konfirmuar mbi 110 raste me Covid-19, numër ky mjaft shqetësues pas lirimit të masave.
Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Prishtinës janë vatrat me numrin më të madh të deritanishëm me 196, përkatësisht 168 raste.
Për këtë shefi i qeverisë kishte paralajmëruar rikthim të masave, megjithatë ministri i Shëndetësisë të dielën ka deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj nga AAK thotë se në rast të mos respektimit të rekomandimeve të IKShP-së, masat restriktive duhet të rikthehen.
Reshitaj për KosovaPress tha se nevojitet një vigjilencë më e madhe për të monitoruar të gjitha institucionet publike e private. Në rast se rekomandimet e IKShP-së nuk gjejnë zbatim, ajo konsideron rikthimin e masave.
Reshitaj ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të ftojnë ministrin e Shëndetësisë për raportim në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për të parë se si po menaxhohet kjo gjendje nga ky dikaster.
Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur 33 pacientë, të cilat kanë qenë të diagnostikuar me Covid-19. Deri më tani janë konfirmuar 1437 raste, prej tyre 928 janë shëruar.