Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar se e votoi mocionin e mosbesimit, sepse nga vetë emërtimi kishte mosbesim.
Ajo përmes Facebook tha se nuk e rrëzuan Qeverinë, por ajo u vetërrëzua.
“Ju mund të më linçoni dhe mund të më akuzoni, por do të kuptohet më vonë, pas daljes nga populizmi dhe propaganda aktive në mediet sociale. E frikshme qasja e ish-partnerit me etiketime, njollosje dhe pushtime sms-ësh, duke thyer edhe të dhënat personale.
Unë si deputete e ruaj shtëpinë time, LDK-në, sepse jam rritur me të. Unë ku ha bukë, jam mirënjohëse përjetësisht. E mbroj dinjitetin, frymën, identitetin e LDK-së”, ka shkruar Bunjaku-Rexhepi.
Ajo tutje ka potencuar se besimi i saj në ShBA-të ishte vota e saj ndërsa besimi për partinë e saj, asnjëherë nuk do të lëkundet.
Postimi i plotë:
Në kohë të vështirë e të mirë, gjithmonë me LDK-në. Unë kam votuar mocionin e mosbesimit, sepse thjesht, nga vetë emërtimi: kishim mosbesim. Partneritetin e ruan besimi dhe respekti i ndërsjellë, madje më shumë se dashuria plot pasion. Ne nuk e rrëzuam Qeverinë, por u vetërrëzua. Iku nga përgjegjësia, sepse deshi të mbetej lider i pagabueshëm. Lehtë është të ikësh, por sfidë është të ballafaqohesh. Megjithatë, ka shpresë, sepse përgjatë udhës, e kemi aleatin më të mirë në histori: SHBA-në.
Ju mund të më linçoni dhe mund të më akuzoni, por do të kuptohet më vonë, pas daljes nga populizmi dhe propaganda aktive në mediet sociale. E frikshme qasja e ish-partnerit me etiketime, njollosje dhe pushtime sms-ësh, duke thyer edhe të dhënat personale.
Unë si deputete e ruaj shtëpinë time, LDK-në, sepse jam rritur me të. Unë ku ha bukë, jam mirënjohëse përjetësisht. E mbroj dinjitetin, frymën, identitetin e LDK-së.
Kur cënohet filozofia e saj e partneritetit, e bashkëpunimit e respektit, unë rezistoj me votën e lirë. Prandaj, e çova dorën, sepse besova ashtu se ishte e drejtë, dhe ndihem mirë që hyra në radhën e atyre që mbrojnë shtëpinë e vet, LDK-në. Lehtë është ta ndjekësh populizmin, por me sfida ta zgjedhësh rrugën e përballjes. LDK e ruan traditën e ruajtjes së partneritetit me SHBA-në, sepse beson në të. Besimi në SHBA-në e bëri mosbesimin ndaj Qeverisë Kurti.
Besimi mbi Amerikën ishte vota ime. Besimi im në LDK-në për këtë kurrë nuk lëkundet. Dhe kështu do ta mbrojmë interesin strategjik të Kosovës. E tashmja na duket sfiduese, por e ardhmja e ndritur.
/Reporteri.net