Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu, ka thënë se Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka frustruar sot gjatë negociatave presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
”Kemi parë një kryeministër që qysh prej fillimit ka pasur ide të qarta karshi qasjes së tij në dialog, e të cilat ide i ka përcjellur sot edhe në Bruksel. Edhe vet deklarata e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq tregon më së miri atë që ka ndodhur aty brenda. Sepse nuk është që kemi parë ndonjëherë një frustrim të tillë të presidentit të Serbisë në deklaratat e tij pas dialogut”.
”Është hera e parë që kemi një politikan që është jashtëzakonisht i vendosur në atë që po kërkon të futet në kuadër të agjendës së dialogut që do të ndodhë në të ardhmen. Ka shumë çështje që do jenë të rëndësisë së veçantë, por dhe do kërkojnë trajtim të veçantë”.
Ajo tha se propozimet e nxjerra nga kryeministri Kurti, tregojnë që kjo qeveri ka qasje krejt ndryshe karshi çështjes së dialogut”.
”Do të jetë çështja e CEFTA-s, që Kosova ka kërkuar të kalojë në SEFTA. Ne konsiderojmë që bashkëpunimi mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, është jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit evropian”.
Kryeziu mes tjerash ka bërë të ditur se për çështjen e dialogut, do të ketë platformë në Kuvend.
”Do të ketë transparencë. Do të ketë platformë, që do të prezantohet në Kuvend, do të ketë debat pikërisht për ato që i shohim. Sepse ne i kemi prezantuar parimet tona. Sot ka qenë vetëm takim i parë, dhe në këtë takim sikur sot, nuk mund të ketë më shumë se kaq. Edhe këto katër propozimet mund të jenë pjesë e platformës”.
”E kemi parë kryeministrin Kurti që e ka përmend se njohja duhet të jetë gjëja e parë që duhet të ndodhë mes të dyja vendeve. Fakti që sot në Bruksel nuk është fokusuar krejt diskutimi vetëm tek njohja, por kanë ardhur në shprehje edhe disa propozime të tjera, nuk do të thotë që kjo është një dështim i plotë siç e ka quajtur Ramush Haradinaj. Nuk do të ketë vazhdim të bisedimeve pa ardhur njohja fillimisht, sepse nuk ka çfarë të diskutohet kur nuk ka njohje reciproke mes të dyja vendeve”, tha ajo në Klan Kosova.