×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja e VV-së për shkarkimin e Dakës: Një mesazh për pavarësi dhe paanshmëri të institucionit

    Reporteri
    17 Qershor 2021 | 23:23

    Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, e ka parë si mesazh për pavarësi dhe paanshmëri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryesueses së KQZ-së.


    Duke folur për kundërshtimet dhe kritikat që ka marrë presidentja nga opozita dhe shoqëria civile për shkarkimin e Dakës, se me vendim po bën presion te KQZ-ja, Kica-Xhelili ka thënë se mesazhi ka qenë tjetër.

    “Një mesazh për pavarësi dhe paanshmëri të institucionit. S’do ta merrja si presion. Por si iniciativë që të rilegjitimohet pozicioni i pavarësisë së një institucioni që në fund të ditës ia vë vulën demokracisë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

    Kica-Xhelili ka thënë se çfarëdo shkarkimi që po bëhet në vend po i jepet një linjë politike.

    “Mund ta vëreni në debate në përgjithësi që është diskursi i njëjtë. Për çdo shkarkim opozita vjen me qëndrimin se po tentohet një kapje”, ka shtuar ajo.

    Të enjten, Kuvendi zgjodhi Krenare Sogojeva-Dermakun komisionere për Informim në një proces që është përcjellë me kritika të vazhdueshme nga shoqëria civile e cila kundërshtoi dërgimin e emrit të kandidatit Enver Bujari. Edhe pse Bujari pati më së shumtë pikë ndër kandidatët në komisionin që e bëri vlerësimin, në fund deputetët votuan për Sogojeva-Dermakun. E vendimi u mirëprit nga shoqëria civile. Për këtë Kica-Xhelili ka thënë se “proceset e tilla s’duhet të konsiderohen absolute teksa janë në komisione.

    “Unë mendoj që mundësia e njëjtë për aplikim duhet t’i ofrohet secilit. Ajo që u ngrit ishte për ndryshimet në CV-në e tij, por supozoj që ata që e kanë votuar e kanë bërë filtrin e tyre të konfirmimit. Derisa ka dalë në intervistë, është në diskrecion të secilit anëtar të japë vlerësimin e tij. por duhet ta kemi parasysh se në fund të ditës as komisionet s’e vendosin kandidatin. E vendos Kuvendi dhe deputetët”, ka deklaruar ajo. /koha.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!