Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka theksuar se vendi është kthyer në rrugën e duhur, derisa ka komentuar angazhimin e Qeverisë Hoti në 100 ditëshin e parë.
Sipas deputetës Krasniqi, Kryeministri Avdullah Hoti u angazhua maksimalisht për të përmirësuar gjendjen e vendit, andaj kushdo që e thotë të kundërten, nuk është duke e thënë të vërtetën.
“Me përkrahjen e miqve amerikanë janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme për vendin dhe gjithë rajonin e Ballkanit. Këtë nuk arriti ta bënte askush më herët, por u bë në qeverisjen Hoti, duke treguar seriozitet dhe përkushtim në realizimin e objektivave të shtetit. Nënshkrimi i marrëveshjes në shtëpinë e bardhë në ëashington D.C ka qenë hapi më i madh që ka mundur ta marrë ndonjëherë Kosova, për normalizimin e plotë të marrëdhëneve me shtetin serb. Sigurisht, synimi i Qeverisë Hoti mbetet arritja e njohjes reciproke“, tha ajo, para deputetëve.
Krasniqi, vlerësoi lartë edhe angazhimin e Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, në menaxhimin e pandemisë “Covid-19”.
“Është bërë punë e jashtëzakonshme në menaxhimin e pandemisë. Kemi rënie të numrit të rasteve nga dita në ditë dhe për këtë duhet falenderuar te gjithë ata që kontribuan në zvogëlimin e rasteve, që sigurisht kanë krijuar qetësi në familjet tona. Kjo është një dëshmi se jemi në rrugën e duhur. Për menaxhim të situatës me Covid-19 sigurisht se ka merita edhe Ministri i Shëndetësië z. Armend Zemaj, i cili me gjithë vështirësitë dhe persionin e madh nga ata që nuk ia duan të mirën vendit, arriti ta mbaj gjendjen nën kontrollë me angazhim 24 orësh, andaj sot kemi një vetëdijesim të plotë të qytetarëve, që është përkthyer në rënien e rasteve të infektimit më virusin Covid-19“, ka thënë ajo.