Rreth 900 qytetarë të Komunës së Deçanit, që nga e shtuna kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të disa simptomave të helmimit, që dyshohet të jenë nga uji i pijshëm.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, nëpërmjet një konference, ka thënë se nuk kanë vërejtur ende nëse më se 900 persona të infektuar në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të ujit të kontaminuar.
Ramadani, në konferencën e thirrur nga Ministria e Shëndetësisë, deklaroi se në bashkëpunim me ministrinë nga mostrat e marra kanë nxjerrë rezultatet e dyta laboratorike, të cilat nuk konstatojnë se uji që vinte nga ujësjellësi rajonal i Deçanit është i kontaminuar.
Lidhur me këtë rast ka reaguar deputetja e AAK-së që vije nga Deçani, Time Kadrijaj, e cila adreson kritika ndaj qeverisë Kurti, konkretisht ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, se nuk po merren seriozisht me këtë rast.
Kadrijaj ka thënë për Gazetën Online “Reporteri.net” se nuk ka pasur asnjë vizitë në Deçan nga qeveritarët.
“Qeveria jonë as një vizitē në Deçan. Ministër Vitia është dashur të marrë mundin e ta vizitojë Deçanin ta shikojë nga afër gjendjen e pacientëve dhe të interesohet për nevojat që ka QKMF-ja për barna e material tjetër për trajtimin e pacientëve. Edhe ne jemi qytetar të Kosovës dhe duhet të trajtohemi të tillë pasi është vështirë që një QKMF të merret me 900 pacientë të helmuar, pasi nuk është spital”, ka deklaruar ajo.
Kadrijaj thotë se edhe sonte shumë qytetarë janë duke kërkuar ndihmë, dhe po dërgohen në QKMF.
“Marre për qeverinë dhe ministrin Arben Vitia, asnjë telefonatë mos me bërë. Edhe në këtv moment ka raste të reja që qytetarët po kërkojnë ndihmë”, tha ajo.
Kadrijaj thotë se me padurim po presin rezultatet e mostrave perfundimtare që tē zbulohet shkaku i helmimit të qytetarëve.
“Tē gjitha instancat duhet të jenë nē nivel tē detyrës që tē zbulohet shkaku i këtij helmimi masiv”, tha ajo. /Reporteri.net/.