Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Evgjeni Thaçi-Dragusha, e cila është mbesa e presidentit Hashim Thaçi, ka përdorur një gjuhë jo të zakonshme.
Ani pse duke mos përdorur emra, Thaçi ka dërguar mesazhe për kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinajn, shkruan Reporteri.net.
Ajo, teksa ka bërë të ditur se është gati për zgjedhje, ka shtuar se partia e saj nuk është e gatshme vetëm për një gjë që, sipas saj, është “lënia e shtetit në dorë të sabotuesve të proceseve, shkatërruesve të institucioneve, anemikëve politik, dezertorëve dhe frikacakëve”.
“Vetëm për një gjë nuk jemi të gatshëm: që shtetin të cilin populli i Kosovës e ndërtoi me kaq shumë sakrificë, ta lëmë në dorë të sabotuesve të proceseve, shkatërruesve të institucioneve, anemikëve politik, dezertorëve dhe frikacakëve. Asnjëherë”, ka thënë ajo në Facebook.
Sidoqoftë, kohët e fundit ka nisur një debat i ashpër me nënkuptime në mes të partnerëve të koalicionit, pas dorëheqjes befasuese të Haradinajt.
Të gjitha partitë po kërkojnë zgjedhje dhe po insistojnë se do të shkojnë të vetme. Këtë gjë e ka thënë Haradinaj në vazhdimësi pas dorëheqjes, e po ashtu edhe Veseli. Megjithatë, akoma nuk ka një dakordancë për datën e zgjedhjeve, madje as për takime të këtij qëllimi./Reporteri.net