Në gjykimin ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, dëshmoi Blerim Shala, i cili tha se i ndjeri Triumf Riza, kishte treguar se si grupi “Sekiraqa” ku bëjnë pjesë edhe dy të akuzuarit e kishin përndjekur para se të vritej.
“…prej grupit të Enverit pastaj prej aty ka fillu ma intensiv përcjellja e Triumfit, kërcënimet”, deklaroi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht Shala tregoi për momentin kur Riza e kishte ndalur si polic së bashku me dy policë tjetër ndërkombëtarë Enver Sekiraqën ku edhe i njëjti i kishte kërcënuar me granat dore.
Sipas Shalës, ndonëse Riza i kishte thënë se e kishte paraqitur në Polici kërcënimin me granatë dore, ai shtoi se pas kërkesës për të dhënat në sistemin e Policisë, ato nuk figuronin aty, duke aluduar se dikush i kishte fshirë.
Më tej, Shala deklaroi se e njeh të akuzuarin Ilir Abdullahu, pasi e kishin ndaluar disa herë gjatë patrullimit si zyrtarë policorë, por shtoi se nuk i kujtohet nëse ndonjëherë i ka shqiptuar ndonjë kundërvajtje.
Këtë deklarim e kundërshtoi Ilir Abdullahu, duke thënë se për herë të parë e kishte parë Shalën në sallën e gjykimit.
“Unë për herë të Dëshmitari Shala deklaroi se për vrasjen e Rizës ishte njoftuar nga vëllai i tij, Visari, i cili i kishte thënë se e kishin qëlluar dhe se ndodhej në spital.”
“Visari më ka njoftuar se e kanë qëlluar dhe është në spital”, shtoi Shala.
Shala tregoi se Riza i kishte kërkuar të hynte në sistemin e Policisë së Kosovës për të marrë fotografitë e anëtarëve të grupit “Sekiraqa”, përfshirë dy të akuzuarit, Ilir dhe Rrahim Abdullahu, me qëllim që t’i identifikonte personat që po e ndiqnin.
Sipas Shalës, Riza ishte polic dhe njeri i ndershëm.
“Edhe si zyrtar dhe person fizik ka qenë shumë i moralshëm nuk ka pas diçka të keqe s’ka pas asnjëherë vërejtje kurrë në Polici”, tha Shala.
Shala sqaroi se ka punuar si zyrtar policor që nga viti 2001 dhe se kishte qenë koleg me Rizën. Ai shtoi se për një periudhë kohore kishte shërbyer në njësitin për zbatimin e urdhërarresteve të lëshuara nga Gjykata.
Sipas tij, sa i kujtohej, kishte pasur një urdhërarrest edhe ndaj të akuzuarit Ilir Abdullahu, por shtoi se i njëjti nuk kishte pasur nevojë të arrestohej, pasi ishte paraqitur vetë në Gjykatë. Megjithatë, Shala theksoi se nuk i kujtohej për çfarë vepre penale ishte lëshuar urdhërarresti.
I pyetur për këtë rrethanë nga mbrojtësi i Ilirit, avokati Ramë Dreshaj, se përse nuk e kishte deklaruar më herët, dëshmitari Shala u përgjigj se nuk ishte pyetur për këtë çështje.
Ndërkaq, për të akuzuarin Rrahim Abdullahu, Shala tha se nuk kishte pasur urdhërarrest.
Avokati Ramë Dreshaj kërkoi nga Shala të dijë se përse deklarata e dhënë në Stacionin Policor më 7 shtator 2007 nuk ishte nënshkruar nga zyrtarët policorë. Megjithatë, një pyetje e tillë nuk u lejua nga Gjykata, me arsyetimin se Shala nuk mund të japë përgjigje për një veprim që vetë nuk e kishte kryer.
Lidhur me rastin e Swiss Casino-s, Shala deklaroi se pas këtij incidenti, Riza e kishte kuptuar dhe e kishte marrë më seriozisht kërcënimet ndaj tij nga grupi “Sekiraqa”, duke shtuar se disa nga kërcënimet i kishte raportuar.
Shala gjithashtu deklaroi se motivi i konfliktit mes Rizës dhe këtij grupi kishte të bënte me detyrat që Riza ushtronte si zyrtar policor.
Ai shtoi se paraprakisht, vetë Enver Sekiraqa kishte deklaruar se “askush nga Policia dhe as Komandantët nuk guxon ta ndalojë”.
Paraprakisht, me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Rrahim Abdullahu, avokatit Xhemajl Ademaj, Gjykata e konsideroi si të lexuar deklaratën e dëshmitares Kaltrina Berisha. Ky veprim nuk u kundërshtua as nga prokurorja e rastit, Arbresha Shala, dhe as nga babai i të ndjerit Riza, Shefqet Riza.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.
Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Sëiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.
Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.
Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.
Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.
Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.
Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.
Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati./BetimipërDrejtësi