Një ditë pasi gazeta online Reporteri.net publikoi lajmin për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë për krime lufte, në media është paraqitur një dëshmitar, i cili thotë se me sytë e tij e ka parë Milan Radoiçiqin të veshur me uniformë kur kanë bastisur nëpër shtëpitë e gjakovarëve, e po ashtu kur janë ekzekutuar tre persona nga Gjakova.
Afrim Caka e ka shfaqur edhe një fotografi të Milan Radojçiqit si 23 vjeçar. Ai ka rrëfyer se si është ekzekutuar Muhamet Dyla dhe dy persona të tjerë dhe në këtë ekzekutim kishte marrë pjesë edhe Radoiçiqi.
“Policia me paramilitarë u futën nga ana e pasme e shtëpisë. Ne në shtëpi i kishim hapur disa dereqka të vogla dhe ne u futën në shtëpi. Unë e kisha gruan me pesë fëmijë dhe aty na plaçkitën, na morën çka morën dhe na qitën në oborr. Filluan me i demolu dyert e dritaret, e dollapët tu kërku pare. Qato pare që i patëm na i morën, na i kanë marrë diku 12 mijë euro dhe ari, një sasi e madhe diku në vlerë 40 mijë euro. Në oborr e kam pa Jusuf Rizo Shujak dhe Milan Radoiçiqin se Milanin e kam njoftë dhe këtë Jusufin se e ka pasë shtëpinë në qendër të qytetit. Si komandat ishte ky Milani…Hynë në oborr, e rrahën vëllain tem, na grushtun neve, por për fat shpëtuam nja 12 veta një një kerr Lada hymë dhe shkuam nja 12 metra te shtëpia e familjes Dyla na ndajtën dhe dolëm nga makina. U futën në shtëpinë e Muhamet Dylës ku ishin edhe dy mysafir. Hyri dikush nga familja dhe i nxori ku ishin të strehum dhe dolën ata në ballkon dhe i ekzekutuan. U vra Muhamet Dyla dhe dy mysafirët, Dervish Hajdari dhe Isa Lokaj”, rrëfeu ai në T7.
Mbi 300 civilë shqiptarë e komunitete të tjera për tri ditë, nga data 7 maj 1999 e deri më 10 maj, u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre në Gjakovë, duke i ndarë burrat nga gratë e fëmijët.
Tek vendi i quajtur “Ura e Taliqit” dyshohet se 106 prej tyre u vranë.
Gazeta online Reporteri.net, raportoi të hënën se si të dyshuar për këtë krim lufte, Prokuroria Speciale ka identifikuar 20 persona, mes tyre edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ndaj të cilit Kosova ka lëshuar edhe një urdhër-arrest si i dyshuari kryesor për organizimin e sulmit terrorist në veri të Mitrovicës më 24 shtator të vitit 2023.
Për këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka lëshuar urdhër arrest për krime lufte ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të tjerëve për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Ata dyshohet se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë nga data 7maj e deri me datë 10 maj të vitit 1999, bashkë me pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuar, filluan të hyni shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezent duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe më pas i vranë gjithsej 106 civil të nacionalitetit shqiptar.
Pas luftës trupat e tyre u gjeten në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.