×
  • Lajme
  • Lajme

    Dëshmitari thotë se ditën kritike ai ia largoi armën të akuzuarit që tentoi ta vriste gruan me të cilën bashkëjetoi

    Reporteri
    30 Prill 2025 | 14:25

    Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmitari Arsim Mulliqaj, i cili tha që në ditën kritike të 6 gushtit 2024, ia largoi armën nga dora të akuzuarit Idriz Alija dhe më pas e bllokoi që të mos largohej.

    Në këtë rast, Idriz Alija akuzohet për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Isha duke vozitë dhe i kam pa do njerëz duke vrapu dhe vëmendja e tyre… më kanë shku sytë e kam pa një person tu e rrah një grua, e godiste me diçka po nuk e di me çka. Nuk e di në çfarë pjese e godiste apo se si i ka ra, po kam vazhdu, e kam kap personin në fjalë, ia kam heq një revole prej dore, e kam blloku, e më ka thanë “lëshom se nuk iki”, tha dëshmitari.

    Mulliqaj deklaroi se qëndroi me të për dy ose tre minuta, derisa kishin shkuar edhe Njësia Speciale.

    Sipas tij, kur ia kishte larguar armën nga dora të akuzuarit, atë e mori dikush tjetër për ta larguar më shumë, e më pas arma u zhduk.

    “Armën e kam shtyrë, e kam lëshuar në tokë dhe pastaj e ka marrë një person tjetër dhe ai e ka shtyrë më andej për shkak të sigurisë, pastaj u zhduk. Por, e kam dëgjuar që pastaj e ka gjet Policia”, tha Mulliqaj.

    Dëshmitari deklaroi që ai nuk e kishte ditur që e dëmtuara kishte qenë e plagosur në momentin kur ai e kishte të ndaluar të pandehurin.

    “E kam pa një fëmijë aty afër i cili u mundohej ta ndihmonte të dëmtuarën, pastaj pasi që e kam bllokuar të pandehurin, e kam kuptuar që ajo është e plagosur. Aty ka ardhë pastaj një mjek për me i dhanë ndihmë palës së dëmtuar”, tha tutje dëshmitari.

    Gjatë kësaj seance, u dëgjua edhe dëshmitari Besart Alija, i cili është djali i të akuzuarit.

    Ai tha se lidhur me ngjarjen kishte dëgjuar nga djali i axhës së tij dhe menjëherë ishte nisur për në stacionin e policisë në Fushë-Kosovë. Tha se babai i tij me të dëmtuarën kishin pasur mardhënie të mira.

    Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Naim Klinaku, mirëpo ai mungoi pa arsye.

    Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje, të Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë i ka përcjellë nga mbrapa.

    Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.

    Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.

    Me këtë, i pandehuri Alija po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armën e ka marrë një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq Policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu, edhe ndaj këtij personi u iniciua procedurë penale.

    Me këtë, i pandehuri Idriz Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija ngarkohet se nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.

    Për këtë veprim, i pandehuri Alija po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!