Ditën e djeshme në katër komunat veriore është zhvilluar procesi i votimit për largimin apo jo të kryetarëve aktualë, shkruan gazeta Online Reporteri.net.
Ani pse procesi është cilësuar i dështuar, këto janë rezultatet përfundimtare:
Në komunën e Leposaviqit ku kryetar është Lulzim Hetemi gjashtë vota kanë qenë që ai të largohet nga ky post, ndërsa 129 kanë qenë kundër.
Pyetjes për largimin e Izmir Zeqirit, kryetar i Komunës së Zubin Potokut, për largim të tij nuk ka votuar asnjë qytetarë, ndërsa për vazhdimin e funksionit të tij kanë votuar 18 qytetarë.
Për largimin nga pozita e kryetarit të Zveçanit, për Ilir Pecin, ka pasur vetëm një votë që ai mos të largohet, ndërsa asnjo votë pro nuk ka qenë.
Kurse, në Mitrovicën e Veriut të cilën e drejton Erden Atiq, në krahasim me tri komunat tjera ka pas më shumë qytetarë që kanë votuar.
12 qytetarë kanë votuar që ai të largohet nga funksioni i kësaj pozite, derisa 99 të tjerë kanë qenë kundër largimit të tij.
Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se ndonëse Kosova e ka organizuar procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, rezultati i procesit të 21 prillit nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja shpreh keqardhje që serbët e Kosovës në veri nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës për t’i zgjedhur kryetarët, që, sipas BE-së, do të ishin me të vërtetë përfaqësuesit e serbëve të asaj pjese.
“Sa u përket masave, në linjë me konkluzat e 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë për masat e BE-së, të bazuara në një raport të Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të bllokut evropian”, ka thënë Stano për REL, pa përmendur afate kohore kur do të zhvillohen këto diskutime./Reporteri.net/
BE: Rezultati i votimit në veri nuk kontribuon në uljen e tensioneve