×
  • Lajme
  • Lajme

    DËSHTIMI SPEKTAKOLAR: Asnjë ambasador i QUINT’it në takimin VV-LDK

    Reporteri
    28 Janar 2020 | 17:30

    Asnjë ambasadorë i vendeve të QUINT’it nuk ka shkuar sonte në Kuvend, për të ndërmjetësuar Albin Kurtin e Isa Mustafën, për të arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur.


    Takimi i radhës mes krerëve të VV-së dhe LDK-së ka nisur pak pas orës 17:00, siç ishte paraparë, në Kuvend të Kosovës. Por, në takim ndodhen vetëm liderët e partive dhe shoqëruesit e tyre, e jo ambasadorët e vendeve të QUINT’it, sic dy partitë kanë pretenduar se do të marrin pjesë.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, më herët, gjatë ditës së sotme ka raportuar me burime nga Ambasada Amerike në Prishtinë, se ambasadori Philip Kossnet nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

    Por, përveç tij, në takim nuk kanë shkuar as ambasadorët e vendeve tjera të QUINT’it.

    Vendet e QUINT-it sot dolën me një komunikatë të përbashkët ku u tha se nuk përkrahin ndonjë kandidat apo parti të veçantë për të formuar qeverinë duke e lënë të paqartë nëse një takim i tillë do të ndodhë.

    “Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, “Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, shkruhet në komunikatën e tyre.

    Ndërkohë, edhe Zyra e BE-së në Prishtinë, pak para se të nisë takimi i orës 17:00, kanë konfirmuar për Reporteri.net se shefja e kësaj zyre Natasha Apostolova nuk do të jetë e pranishme. Madje, sipas zyrës që ajo drejton ajo as nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në një takim të tillë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!