Ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit Hasan Mani, në rastin ku akuzohet për kanosjen e prokurorit special, Naim Abazi. Shkak i shtyrjes së seancës është mungesa e të akuzuarit.
Nga zyra e gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica u bë e ditur se palët janë ftuar me rregull për këtë seancë, por i akuzuari nuk e ka arsyetuar mungesën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për një datë tjetër.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 2 qershor 2021, Hasan Mani ngakohet se më 13 prill 2021 se rreth orës 10:00 në Prishtinë, e ka kanosur seriozisht në cilësinë e personit zyrtar, prokurorin Naim Abazi.
Sipas aktakuzës, kanosja kishte ndodhur në momentin kur tani i dëmtuari Abazi në ambientet e Prokurorisë Speciale e kishte takuar për ta njoftuar tani të akuzuarin Mani, se kallëzimi penal i ushtruar nga ai për një rast ishte hedhur poshtë. Në aktakuzë thuhet se në atë moment i akuzuari Mani i drejtohet prokurorit me fjalët “Ti nuk je shqiptar, ti je idiot, ke me pa ti”, me ç’rast te i dëmtuari Abazi i shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për veten dhe familjen e tij.
Për këtë veprim, i akuzuari Mani po ngarkohet se ka kryer me veprën penale “Kanosja” nga neni 81, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.